Jack Smith, Prokurori i Specializuar që akuzoi Presidentin Hashim Thaçi bëri një akt të pazakontë, por jo të pakuptimtë

Nga Erl KODRA

Akti i publikimit të akuzave nga Prokurori i Gjykatës Speciale kundër Presidentit Hashim Thaçi është i pazakontë, por jo i pakuptimtë. I pazakontë, sepse në asnjë praktikë të mëparshme nuk është vepruar në këtë mënyrë, për më tepër kur Rregullat e Procedurës përcaktojnë qartë rendin e akteve të prokurorit. Nga të gjitha këndvëshrimet, duket qartë që Prokurori ka vepruar i shtyrë nga faktorë ekstra-gjyqësorë dhe procedurial. Ky veprim, në kuptimin juridik është një skandal i rekordeve Guinness; dhe saktësisht për këtë arsye akti në vetvete është krejtësisht politik.


Po kush e detyroi këtë prokuror të ndërmerrte një akt të tillë të pazakontë dhe të njëanshëm? Çfarë force madhore e detyroi Prokurorin e Specializuar Jack Smith të publikonte një aktakuzë të tillë, duke shkelur procedurat dhe Rregulloren e Punës, për rrjedhojë, duke shkaktuar dështimin spektakolar të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, të planifikuara të mbahen në Shtëpinë e Bardhë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Çfarë pritej të vendosej në këto negociata, të shtyra përpara me vendosmëri nga i ngarkuari i posaçëm i Presidentit Trump, Ambasadori Richard Grenell?


Kush ishte ai burrë që mund të shkelte rregulloren e Gjykatës dhe njëkohësisht, të minonte një takim të tillë, vetëm dy ditë para se të fillonte takimi në Shtëpinë e Bardhë? Në të vertetë, çfarë donte të ndalonte Jack Smith? T’i bënte karshillëk Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Shtëpisë së Bardhë? Donald Trump? Mike Pompeo?


Cila është ajo forcë që mund t’a shtynte të ndërmerrte këtë akt të pazakontë Prokurorin Special Jack Smith? Bashkimi Europian, Gjermania, Franca, Anglia, Turqia, Rusia apo Kina?


Asnjë hipotezë nuk mund të jetë e pranueshme ose përjashtuese, por megjithatë, ka vetëm një forcë madhore që mund t’a shtynte Prokurorin drejt një veprimi të tillë;


Me sa duket, me datën 27 Qershor 2020 do të ndodhte diçka e përmasave të mëdha, që mund të shkaktonte pasoja të pakthyeshme, të pariparueshme. Prandaj akti i Prokurorit të Specializuar Jack Smith është i pazakontë, por jo i pakuptimtë.


Hipoteza më e pranueshme është se takimi i 27 Qershorit u hodh në erë nga disa aktorë, amerikan dhe europian njëkohësisht. Qëllimi ishte i qartë; të ndalohet miratimi i një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë, më së paku i një marrëveshje të keqe, që mund të shkaktonte probleme të pariparueshme për rajonin, por edhe për Europën dhe më gjerë.

Marrëveshjet me korrigjime dhe shkëmbime territoresh janë precedentë të rrezikshëm, që mund të merren si shembull nga çdo shtet agresiv që ka pretendime territoriale mbi një shtet tjetër. Rasti i Krimesë flet vet.
Ky lloj “anullimi” i ngjanë shumë akteve të komplotit ndërkombëtar, që vetëm Shërbimet Sekrete mund t’a ndërmarrin. Dhe në këtë rast, është e pabesueshme se Prokurori i Specializuar është kushtëzuar nga Sherbimet e tjera, përveç atyre perëndimore.


Është krejt tjetër gjë përmbajtja e njoftimit paraprak, gjuha e përdorur nga Prokurori, si dhe goditja ndaj Hashim Thaçit. Qëllimi i termave të përdorur, që ngjajnë më shumë me akuza politike se sa akuza penale është i vështirë për t’u dëshifruar; në qëllim për të arritur kuptimësinë optimale se çfarë ai ka dashur të evidentojë; por, me siguri që “leja” është marrë nga Washingtoni, Londra dhe Berlini. Shtetet e mëdha mbrojnë interesa të mëdha. E kam shkruar edhe herë tjetër; Shtetet e Bashkuara janë akoma Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Është krejt tjetër gjë se sa ka qenë i informuar Ambasadori Richard Grenell.