E ardhmja e Shqipërisë dhe e shkuara e Reformës së dështuar në drejtësi!

Ndërkohë që vëmendja mediatike ishte përqëndruar për të ideuar një komplot Rama-Basha, ambasadorja amerikane zgjodhi të përgjigjet duke i shkuar liderit të opozitës në zyrë. Një vizitë që u shoqërua me një minikonferencë për shtyp e cila përforcoi tezën “e të ardhmes së Shqipërisë”.

Debati i nxehtë politik duket se ka marrë një drejtim tjetër që nga dita kur qeveria është kthyer në një miratuese e kërkesave të opozitës. Komisioni Politik, megjithëse i lënë në harresë, ka qenë një mjet përmes të cilit opozita ka ushtruar presionin e saj karshi mazhorancës. Një mjet aq i fortë saqë Damian Gjiknuri është detyruar të mohojë publikisht kërkesat e Ramës duke iu dorëzuar Vasilit dhe Bylykbashit.

Të njëjtën gjë duket se po bëjnë dhe ambasadorët e BE dhe SHBA në vend. Në minikonferencën pas takimit me Bashën, zonja Kim u shpreh se afati i 31 majit nuk është një kërkesë e SHBA por një kërkesë e politikës shqiptare. Në të vërtetë ajo është një kërkesë e opozitës që për arsyet e Covid-19 e shtyu afatin nga 15 marsi në 31 maj.

Një armë e tillë që opozita e ka në dorë, Rama u përpoq që ta bënte pis me sulmin e poshtër ndaj godinës së teatrit. Përpjekjet e tij për t’i ikur darës së kërkesave të BE-së nuk gjetën terren tek një PD e cila ndonëse e revoltuar nga abuzimet edhe dhuna e pashoq nuk reagoi ashtu siç Rama priste. Por, qartësisht ekipi ndërkombëtar që mbase zemra i rreh për Ramën por arsyeja i flet kundër tij po përpiqet të daravisë situatën dhe po mbështet Bashën.

Natyrisht kjo lëvizje që diskutohet për të ardhmen nuk do t’i japë zgjidhje problemeve reale të Shqipërisë që nisin nga keq-implementimi i Reformës në Drejtësi e deri tek shteti oligarkik dhe kriminal që ka ndërtuar Rama. Por, hapi pozitiv përpara në raport me politikën shqiptare duhet përgëzuar. Shqiptarët kanë parë që nga viti 2013 se si Rama ka përdorur Ambasadën Amerikane si një paradhomë të pushtetit të tij propagandistik pa më të voglën rezistencë nga të fundit. Një farë animi i ambasadores Kim që konsideron Bashën (pra opozitën) si e ardhmja duket një farë shprese jo për të shpëtuar vendin por për t’u rikthyer në binarët e një arbitrimi korrekt.

Natyrisht, kjo biçim kthese nuk do kënaqë të gjithë dhe është e udhës që Basha të shfrytëzojë me zgjuarsi situatën e krijuar për të prodhuar një efekt më të madh në publik. Të gjithë e kanë të qartë që Rama dhe pushteti i tij kriminal nuk mund të mbrohet, ajo që ende habit është se si heshtja ndërkombëtare për këtë pushtet gjen vend në dhomat dhe letrat e këtyre aktorëve politikë.

Një gjë është e sigurtë. E ardhmja e vendit u diskutua një ditë pasi presidenti pranoi se do të kthehej në një figurë simbolike daneze, për të pritur dhe përcjellë me protokoll faktorin kombëtar dhe ndërkombëtar. Ndihma e tij në ruajtjen e asaj pak kushtetute ishte vendimtare por nuk duhet harruar që e ardhmja e vendit nisi në ditën kur opozita refuzoi të pranonte farsën konsitutcionale. Një farsë që shenjat e para i dha me miratimin e 7 ligjeve dhe të dytën në emërimin e zonjës Marku.

Mbase për këtë të shkuar zonja Kim dhe enturazhi diplomatik dhe agjencive ligjndihmuese të Ambasadës Amerikane duhet të përgjigjen. Jo vetëm se janë 50 milion USD të hedhur në Shqipëri për këtë reformë por sepse në themel është besueshmëria e Amerikës në sytë e shqiptarëve. Dikush duhet të paguajë për çorbën e gatuar deri më sot. Por nuk kanë pse të jenë shqiptarët