Nga, Krist GURALUMI
U prit me komente entuziaste nga shumë shqiptarë vdekja e 99 vjeçares, prej mëse dy dekadash e dalë në pension dhe e zhveshur nga çdo fuqi dhe influencë publike. E çfarë mund të pritet tjetër nga njeriu impotent, që kur i mungon kurajoja për tu përballur me aktualitetin, vendos të grindet zellshëm me hijet e së kaluarës?! Sigurisht që reagime të tilla infantile e qesharake mund të priten. Jemi një popull i gatshëm kurdoherë për ta ngritur zërin e histerisë dhe karagjozllëkut deri në britma shurdhuese, por kurrë zërin e arsyes dhe revoltës nuk e ngremë përtej pëshpërimës dhe psherëtimës me veten. Na mungon guximi për të protestuar për të drejtat tona, por nuk na mungon energjia për të brohoritur mitingjeve për kënaqësinë e diktatorëve më të paskrupullt. Vërtet, nuk e kemi problem të puthim këmbët e shkelësve të lirive dhe të drejtave tona themelore, ama nuk jemi dhe aq pa dinjitet, pasi nuk i lëmë pa ndëshkuar diktatorët kur ata i kemi në formën e busteve, pleqve të pafuqishëm e të harruar, apo 99 vjeçarëve të vdekur. Sypatrembur rebelohemi kundër këtyre entiteteve kaq të rrezikshëm! Nuk na mungon guximi për të rrëzuar e përdhosur pa mëshirë bustet e atyre që i kemi lëvduar e himnizuar në të gjallë. I përmbysim pa hezitim diktaturat, kur ato kanë përfunduar ose janë në grahmat e fundit. Madje dhe këtë e bëjmë vetëm atëherë kur bota na e imponon. Jemi don kishotë që në vend se të luftojmë kundër mullinjve të erës, përleshemi egërsisht me bustet e të vdekurve, me figura të shfuqizuara prej vitesh nga aktualiteti politik e social, me hije dhe fantazma imagjinare. Vetëm se në ndryshim nga Don Kishoti veprimet e të cilit motivohen nga naiviteti anakronik, lufta jonë qesharake është rrjedhojë e hipokrizisë dhe burracakërisë. A thua nuk po jetojmë edhe sot në diktaturë? Dikur mendimi kritik ndëshkohej, sot përqeshet dhe injorohet. Të paktën atëherë zëri i ngritur tërhiqte vëmendje, vëmendje dashakeqe, po më mirë se asgjë. Sot zëri i ngritur bie në vesh të shurdhët. Kjo na qënka demokraci?! Mendimi qytetar të mos ketë vlerë as të dëgjohet, madje as të ndëshkohet?! Demokraci sigurisht nuk do të thotë dënim i mendimit të lirë, por as injorim i tij si të ishte e lehur qensh. Demokraci do të thotë vlerësim dhe konsideratë për mendimin qytetar. Kjo na ka munguar e vazhdon të na mungojë. Padrejtësitë na mbysin, e çdo thirrje e drejtë injorohet. Kurse ne heshtim edhe më tepër, në vend që të protestojmë më fort. Antagonizojmë personazhe të së kaluarës së largët, në vend që ta drejtojmë zemërimin tonë kundër faktorëve aktualë e në fuqi, që na mbajnë të burgosur në një realitet të hidhur shoqëror. Ky është nënshtrim. Po si atëherë pretendojmë se jetojmë në demokraci? Apo gënjehemi nga koncepti abstrakt i saj, që propaganda e diktaturës së re të pas ’90-ës na e trumpeton në vesh parreshtur? Nuk besoj të jemi aq naivë sa të gënjehemi si fëmijë. Thjesht jemi në pritje të busteve të rinj kundër të cilëve të rebelohemi si zemërluanë të vërtetë, gjatë ndonjë demostrate simbolike që mund të na rezervojë e ardhmja e ndritur.