Nga Elona CASLLI
Kufomat i shkakton zakonisht lufta mes një vendi dhe një tjetri. Kufomat zakonisht i shkakton një epidemi e rrezikshme. Kufomat zakonisht i shkakton tërmeti apo zjarri.
Kufomat, në Shqipëri mund t’i shkaktojë edhe rroga. Ajo shumë parash, që na jepet në fund të muajit, për punën që kemi bërë, qëllon që edhe mund të na vrasë.
Të ngrihesh çdo mëngjes. Të shkosh në punë. Të punosh çdo orë, çdo ditë çdo javë, çdo muaj dhe bilanci i punës sate, për një kohë të gjatë të përmbyllet me- 27 rroga të papaguara
Fillimisht mendon se do t’i marrësh të gjitha me një dorë dhe do të mbyllësh vrimat e mëdha, që u hapën në buxhetin modest të familjes.
Kjo shpresë të çon përpara nga muaji në muaj dhe Rroga bëhet kryefjalë e bisedës në familje.
Pyetja e bashkëshortes nuk ndryshon kurrë sikundër nuk ndryshon as përgjigjja jote.
– A ta dhanë rrogën?!
– Këtë muaj do ma japin.
Ndërkohë, muaji gëlltit muajin dhe rroga i takon gjithmonë muajit pasardhës.
Përballë një poshtërsie kaq të madhe, të duket vetja krejt i vogël.
Përballë një shpërfilljeje kaq të madhe, të duket vetja veçse një hiç.
Të kanë thënë se puna është dinjitet. Këtë u ke thënë edhe ti fëmijëve të tu.
Të kanë thënë se e drejta vonon, por nuk harron. Këtë u ke thënë edhe ti fëmijëve të tu.
Të kanë gjithçka dhe ti u ke thënë gjithçka fëmijëve të tu.
Harruan të të thonin se vjen një ditë që zemra lodhet dhe plas.
Të qoftë i lehtë dheu!
Post Scriptum- Artan Voshtima, teknolog specialist në rafinerinë e Ballshit.