Në ambientet e selisë së tij, Eduart Ndocaj përmes një takimi me strukturat e Aleancës Demokristiane të Lezhës, subjekt me të cilin ai garon për zgjedhjet e 30 qershorit, duke synuar fort fitoren e tij kryetar i kësaj bashkie, ka bërë me dije pjesëmarrësit, se është momenti historik për ta shkëputur Lezhën nga politikat dhe praktikat e një administrimi të mbrapshtë 29 vjecar në kurriz të qytetarëve nga të gjitha partitë që kanë drejtuar këtë bashki.
I konceptuar si takim mobilizues me strukturat në kuadër të zgjedhjeve, Ndocaj, shpalosi para të pranishmëve programin e tij, për të cilin ai ka punuar shumë kohë dhe e ka hartuar i asistuar nga ekspertizë ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Ndocaj, u ndal gjatë në nevojën e madhe që ka Lezha për një vizion ndryshe, duke shfrytëzuar resurset dhe potencialet e shumta të kësaj bashkie në dobi të një realiteti të ri ekonomik dhe zhvillimor. Ai vuri theksin tek keqmenaxhimi ndër vite i këtij territori, duke bërë që Lezha, pavarësisht dinamikës ndërtimore, të zhytet në një varfëri të paimagjinueshme dhe të prodhojë një papunësi në rritje.
Kryetari i Aleancës Demokristiane të Shqipërisë, Zef Bushati, i pranishëm në këtë takim, pasi përshëndeti pjesëmarrësit, bëri një panoramë të shkurtër të situatës aktuale politike, të cilën e konsideroi të paprecedentë dhe të rrezikshme për ecurinë e reformave që kërkohen si përmbushje detyrimesh për integrimin e vendit.
Kryetari Bushati, më pas u kërkoi strukturave të partisë të impenjohen në fushatën e 30 qershorit, pasi kandidatura e z.Ndocaj është motivuese dhe fryemzuese për një rezultat historik në këtë bashki.
Takimin e përshëndeti dhe deputeti më i ri i Kuvendit të Shqipërisë, kreu i Konservatorëve Shqiptarë, Kujtim Gjuzi, i cili publikisht është shprehur në mbështetje të kandidaturës së ‘kaubojsit”, duke e cilësuar si të denjë për Lezhën dhe lezhianët.
Më pas, takimi ka vijuar në formën e një bashkëbisedimi, ku është bërë prezantimi detajues i programit, si dhe janë dhënë orientimet e duhuara për organizimin e fushatës.