Kim Mehmeti: Përse çdo kujt i lejohet të shajë shqiptarët?

Si popull që nuk guxon ta përmend Çamërinë – si popull pa shtet e pa mëmëdhe!
Nga Kim Mehmeti
‘Ja, erdhën grekët në Bularat të Shqipërisë, ku me nderime e varrosën ‘heroin’ e tyre dhe me krenari e ‘zhvarrosën’ urrejtjen shekullore ndaj shqiptarëve dhe ku na shanë, ofenduan e përbuzën, sikur të ishin në shtëpi pa pronarë!

Jo njëherë, diçka e ngjashme, ka ndodhur edhe në Kosovën tonë, në të cilën, aty ku shkon presidenti serb, nuk mund të shkojë ai i Kosovës! Sa për Maqedoninë, të mos flasim fare: për shovenët sllavo-maqedonas, britmat ‘Vdekje për shqiptarët! dhe ‘Vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë’, janë bërë lutje të mesditës!

Po pra, në ‘Shqipëritë’ tona nuk është e ndaluar antishqiptaria dhe thuajse çdokujt i lejohet të na shajë, ofendojë e përbuz, mbase pse edhe një pjesë e madhe e ‘Evropës demokratike’ nuk e merr për mëkat antishqiptarinë, por mosdurimin shqiptar ndaj të tjerëve?!

Dhe ashtu ka qenë dikur, e ashtu do jetë përderisa të tjerët e shohin se jemi duke u bërë si popull që nuk guxon ta përmend Çamërinë – si popull pa shtet e pa mëmëdhe!

Apo përderisa do e vërejnë se inferioritetin e mbulojmë me të qenurit më ‘mendjehapurit e më tolerantit’ në botë! Si dhe përderisa do e shohin se ‘Shqipëritë’ tona janë shtete që nuk e mbrojnë interesin e shqiptarisë, por interesin e burrështetasve e mbrojnë nga populli!”