Festivali i Rinisë 2022 – 41% e të rinjve kanë raportuar se nuk zotërojnë aftësitë që iu duhen për të arritur synimet për të ardhmen dhe zhvillimin e tyre.
Gjetjet e raportit të realizuar nga World Vision Albania në Korrik të 2021-it, në 13 bashki të Shqipërisë me 977 të rinj të moshës 12-18 vjeç, ka zbuluar gjithashtu se vetëm 29% e adoleshentëve ndjehen shpresëplotë për të ardhmen e tyre.
Për të adresuar këto shqetësime dhe të tjera, dhjetëra përfaqësues të adoleshentëve dhe të rinjve nga 9 Bashki të Shqipërisë janë takuar në Korçë në Festivalin e Rinisë 2022 “Të Rinjtë Përgatiten për Mundësi dhe Mirëqenie”. Ata kërkuan zgjidhje për problemet që i shqetësojnë në komunitetet ku jetojnë dhe nuk ngurruan t’i japin jehonë disa prej çështjeve kryesore që po përballen në ditët e sotme në familje, komunitet dhe shoqëri.
Përgjatë 2 ditëve, 30 Qershor dhe 1 Korrik, të rinjtë nga gjithë Shqipëria patën mundësinë të bashkëbisedojnë, të mbajnë përgjegjës përfaqësuesit e institucioneve për premtimet e dhëna një vit më parë, por njëkohësisht të venë theksin në problematikat dhe nevojat që brezat e rinj kanë në ditët e sotme.
Ky edicion i 6-të i Festivalit të Rinisë 2022 solli një frymë inovative dhe u konceptua si një platformë ku të rinjtë advokojnë dhe kërkojnë zgjidhje për çështjet që kanë ata dhe komunitetet e tyre. Në të njejtën kohë, zgjerojnë rrjetin e njohjeve, eksplorojnë mundësitë e reja që ofrohen për ta në treg, por dhe argëtohen.
Dita e pare e Festivalit kombinoi aktivitetet sportive me mesazhet avokuese për përfshirjen sociale dhe gjinore të fëmijëve dhe të rinjve. Të rinjtë nga bashkitë Dibër, Shkodër, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Durrës, Librazhd, Maliq dhe Korçë realizuan një sërë aktivitetesh sportive për të rritur ndërgjegjësimin mbi pabarazitë gjinore dhe përjashtimin social në mjedisin shkollor dhe në komunitet.
Dita e dytë nisi një buqetë aktivitetesh interaktive, duke krijuar hapësirën e nevojshme për shkëmbim idesh dhe dialogu me politikëbërësit në nivel qendror dhe lokal; me bizneset dhe organizatat që mbështesin aftësitë e shekullit të 21-të, mundësitë për punësimin e të rinjve, por edhe pjesëmarrjen e tyre në programe e nisma që i ndihmojnë për të ardhmen.
Familja, komuniteti, shoqëria dhe ambienti që i rrethon të rinjtë ndikon në mënyrën se si ata e perceptojnë realitetin, ndaj ata kërkojnë më shumë mundësi për zgjidhjen apo minimizimin e problematikave që kanë, si mjet që i ndihmon në arritjen e qëllimeve që kanë për të tashmen dhe të ardhmen.