Sot, në një institucion shtetëror, pashë nga afër një realitet që nuk duhet të ekzistojë në një shoqëri që pretendon se kujdeset për qytetarët e saj.
Në radhë, nën temperaturat që i kalonin 40°C, qëndronin njerëz të ardhur nga të gjitha cepat e vendit: persona të paralizuar, të verbër, gjysmë të verbër, njerëz me diagnoza dhe kufizime të ndryshme shëndetësore. Njerëz që, në vend që të gjenin një sistem të ndërtuar për t’i mbrojtur dhe lehtësuar, ishin të detyruar të prisnin gjatë, në kushte skandaloze, për të kërkuar një të drejtë që u takon.
A mund të quhet ky dinjitet njerëzor?
A mund t’u kërkosh njerëzve me aftësi të kufizuara të udhëtojnë nga skajet e vendit, të përballojnë vapën e pamëshirshme dhe radhët e gjata, pa kushte minimale pritjeje dhe pa një sistem që i trajton me përparësi?
Këta njerëz nuk po kërkonin privilegje. Po kërkonin të drejtën e tyre.
Dhe pikërisht këtu qëndron absurdi më i madh: një shtet duhet të jetë më i pranishëm aty ku qytetari është më i pambrojtur. Por kur përballesh me një realitet të tillë, të lind pyetja nëse kemi vërtet një sistem social që mbron individin apo thjesht një administratë që i zhvendos njerëzit nga një sportel te tjetri.
Nuk mjafton të flasim për përfshirje sociale, të drejta dhe mbrojtje të personave me aftësi të kufizuara në dokumente dhe konferenca. Mbrojtja matet në praktikë. Matet nëse një person i paralizuar të mos jetë i deryruar të vijë në komision të paraqitet por të gjenden instrumentet e duhura që shteti të të përgjigjet. Nëse një i verbër nuk detyrohet të presë me orë në vapë. Nëse një njeri i sëmurë trajtohet me prioritet dhe respekt. Matet me mënyrën se si shteti sillet me ata që kanë më shumë nevojë për të.
Një shoqëri nuk gjykohet nga mënyra se si i trajton të fortët, por nga mënyra se si i trajton më të pambrojturit.
Ajo që pashë sot nuk ishte thjesht një radhë njerëzish. Ishte një pasqyrë e një sistemi.
Nuk kërkojnë mëshirë. Kërkojnë dinjitet. Nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë të drejtat e tyre. Dhe shteti duhet të jetë aty për t’ua garantuar.











