TIRANË, 2 maj 2026 – Tregu i pasurive të paluajtshme në vijën bregdetare të Shqipërisë po përjeton një rritje të ndjeshme, si në aspektin e zhvillimit arkitektonik ashtu edhe në vlerën e pronave.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, çmimet e pronave në zonat bregdetare janë rritur me rreth 28% gjatë periudhës së fundit. Ky trend, sipas ekspertëve të tregut imobiliar, pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim, i nxitur nga kërkesa në rritje dhe interesi i investitorëve.
Aktorët e tregut theksojnë se apartamentet në bregdet po blihen jo vetëm për përdorim personal gjatë pushimeve, por edhe si investime afatgjata, duke u shfrytëzuar për qira sezonale përmes platformave si Airbnb dhe Booking.com.
Një faktor i rëndësishëm në këtë rritje mbetet edhe interesi i shtetasve të huaj. Shumë prej tyre e kanë zbuluar Shqipërinë fillimisht si destinacion turistik dhe më pas kanë vendosur të investojnë në prona përgjatë bregdetit.
Të dhënat tregojnë se rreth 25% e blerësve të apartamenteve janë të huaj, kryesisht nga vende europiane, duke reflektuar një tendencë në rritje të ndërkombëtarizimit të tregut imobiliar shqiptar.
Ekspertët vlerësojnë se kombinimi i çmimeve ende konkurruese, potencialit turistik dhe zhvillimit të infrastrukturës do të vazhdojë të mbajë të lartë kërkesën për prona në vijën bregdetare të vendit











