Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL), ashtu siç ka paralajmëruar më herët, ka bërë publike propozimet e saj për ndryshime në Kodin Zgjedhor, të cilat do t’ia përcjellë zyrtarisht Komisionit për Reformën Zgjedhore. Paketa synon përmirësimin e procesit zgjedhor në vend, duke rritur transparencën, pjesëmarrjen qytetare dhe garantimin e drejtësisë në zgjedhje.
Në propozimet e saj, PLL kërkon aplikimin e një sistemi zgjedhor proporcional kombëtar të hapur, ose alternativisht ndarjen e vendit në katër rajone zgjedhore, me qëllim sigurimin e një përfaqësimi më të drejtë të qytetarëve. Gjithashtu, partia propozon votimin dhe numërimin elektronik për të rritur shpejtësinë dhe saktësinë e procesit.
Një tjetër pikë lidhet me koalicionet zgjedhore transparente, ku çdo subjekt do të ketë të drejtë të depozitojë listat e kandidatëve si pjesë e një koalicioni, mbi bazën e marrëveshjeve të qarta ligjore për ndarjen e votave. PLL propozon gjithashtu garantimin e të drejtës së kandidimit pa barriera, duke hequr detyrimin për mbledhje firmash apo mbështetje nga deputetë aktualë.
Në nivel vendor, partia kërkon që numri i kandidatëve për këshilltarë bashkiakë të jetë në vullnetin e subjektit zgjedhor, pa detyrim për plotësimin 100% të listës. Po ashtu, propozohet që formulari i dekriminalizimit për këshilltarët të verifikohet me imtësi vetëm për kandidatët që marrin mandatin.
PLL mbështet edhe vendosjen e një raundi të dytë për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, në rastet kur asnjë kandidat nuk siguron mbi 50% të votave në raundin e parë.
Ndër propozimet e tjera përfshihet ndalimi i pranisë së vëzhguesve pranë qendrave dhe vendeve të numërimit të votave, me argumentin e garantimit të një procesi të qetë dhe pa presion mbi votuesit, si dhe përfshirja e përfaqësuesve të shoqërisë civile në grupet e numërimit, në vend të përfaqësuesve të subjekteve politike.
Gjithashtu, PLL kërkon forcimin e masave kundër korrupsionit elektoral, me dënime më të rrepta për çdo person që tenton të blejë vota apo të intimidojë votuesit.
Këto qëndrime janë bërë të ditura nga kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, z. Shpëtim Axhami, përmes një reagimi publik në rrjetet sociale.
Nën drejtimin e z. Axhami, Partia Lëvizja e Legalitetit ka njohur një rritje të dukshme politike dhe elektorale, duke konsoliduar strukturat e saj dhe duke zgjeruar mbështetjen në disa zona të vendit. Angazhimi i tij ka rikthyer këtë subjekt në një faktor aktiv të debatit politik, ku sot PLL jo vetëm përfaqëson një alternativë me identitet të qartë brenda spektrit të djathtë, por gjithashtu ka fituar një zë real dhe të respektuar në tryezën e partive të djathta, duke kontribuar në diskutimet për reformat dhe të ardhmen politike të vendit.
Partia Lëvizja e Legalitetit thekson se këto propozime duhet të diskutohen dhe miratohen në përputhje me ligjin, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të besueshme për çdo qytetar shqiptar.











