Trashëgimtari i familjes mbretërore, Princi Leka, foli mbi eksperiencat e tij personale dhe profesionale, si dhe projektet për ruajtjen e trashëgimisë historike të familjes dhe përvojën në Akademinë Ushtarake Sandhurst në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai ishte i ftuar në Inside Albania, në Euronews, ku foli edhe për politikën.
Për marrëdhënien me Kryeministrin, Princi Leka nënvizoi se marrëdhënia e tij me Edi Ramën është formale dhe e bazuar në respekt reciprok.
“Është një marrëdhënie formale. Kemi miq të përbashkët, por unë njoh kufijtë e mi. Nuk është një marrëdhënie ku shkojmë thjesht për një kafe, por respekt reciprok ekziston”, thotë ai.
Ai komentoi situatën politike në vend, duke theksuar sfidat e opozitës dhe nevojën për të ofruar një alternativë reale dhe të qëndrueshme. Princi gjithashtu mbështeti moralshëm liderë të rinj dhe parti të reja, duke i cilësuar si “underdogs” që kanë potencial për të sjellë ndryshim në shoqëri dhe politikë.
“Opozita është në një fazë kritike, duhet të ketë durim dhe të kuptojë se pas 2027 Shqipëria do të jetë në qendër të vëmendjes me Samitin e NATO-s. Vendimet e mëdha duhet të merren, dhe nevojitet një alternativë reale për qytetarët”, përfundoi ai.







