Një grua emigrante në fillim u habit dhe më pas shpërtheu në lot në kufirin ne Meksikën pasi Presidenti Trump urdhëroi mbylljen e një aplikacioni që bënte më të lehtë kalimin në SHBA. Margelis Tinoco, një grua kolumbiane ishte në pritje të hyrjes në SHBA, por presidenti i ri mbylli aplikacionin “CBP One” vetëm pak momente pasi u betua.
Ajo kishte shpresuar të kalonte në El Paso nga qyteti fqinj meksikan i Ciudad Juarez kur aplikacioni papritmas u bllokua.
Në një gjendje dëshpërimi ishte edhe emigrantja kubane Yaime Perez, e cila kishte shpresuar të përdorte aplikacionin për të kaluar në Shtetet e Bashkuara ku do të kërkonte azil.
Çdo takim i pambyllur u anulua menjëherë sapo Trump mori detyrën, duke shkaktuar panik tek ata që dëshironin të hynin në SHBA.
“CBP One” u përdor nga administrata Biden për të ndihmuar në përshpejtimin e hyrjes së emigrantëve në SHBA dhe u përdor nga rreth 1 milion njerëz që nga krijimi. Aplikacioni mund të përdoret për të caktuar takime për azilkërkuesit dhe ishte popullor mes e turistëve duke i ndihmuar ata të shpejtonin rrugën e tyre përmes doganave të aeroporteve.
Presidenti Trump u angazhua se do të mbajë një linjë shumë më të ashpër në kufij dhe madje të deportojë emigrantët që kishin arritur në SHBA. Ai u zotua të përmbushë premtimin gjatë betimit të tij të hënën, i cili është një ndër shumë nismash të reja të guximshme që Trump do të nënshkruajë gjatë ditës së parë të mandatit të tij të dytë.
“Unë do të shpall një emergjencë kombëtare në kufirin tonë jugor” – tha Trump mes duartrokitjeve të mëdha teksa iu drejtua të pranishmëve në ceremoninë e tij të betimit. “Të gjitha hyrjet e paligjshme do të ndalen menjëherë dhe ne do të fillojmë procesin e kthimit të miliona e miliona të huajve kriminalë në vendet nga ata erdhën” – tha Trump.
“Unë po i kërkoj (Trump) të jetë i drejtë. Ai po na kërkon neve si emigrantë që të hyjmë legalisht në vendin e tij dhe mendoj se është krejtësisht e padrejtë që duke pasur një takim të planifikuar tashmë, ata na nxjerrin pengesa” – thotë Johnny Flores.
“Do të jem i sinqertë me ju. Është e lehtë për këdo që të kalojë murin kufitar, ilegalisht, siç kanë bërë shumë. Ne kishim guximin të prisnim dhe për këtë nuk jam dakord me Presidentin Trump. Nëse jemi këtu, është sepse presim ta bëjmë ligjërisht” – shtoi ai. “Kam në plan të pres. Nëse kam pritur 7 muaj për takimin, mund të pres disa ditë për të parë se si është situata”, – tha Flores, 36 vjeç, nga Venezuela.
Të tjerë treguan se si kishin kaluar kontinente, xhunglën Darien Gap, ishin shfrytëzuar dhe gratë përdhunoheshin vetëm për të arritur në kufi dhe për të pritur radhën e tyre. Aplikacioni lehtësoi dukshëm migrantët që të merrnin fluturime për në SHBA nga vende të tjera. Në total, kishte mbi 320 mijë emigrantë që fluturuan në SHBA gjatë administratës Biden.
Qyteti i madh kufitar El Paso, Teksas, mbylli përkohësisht pikat e tij kufitare të hënën pas ceremonisë së betimit të Trump. Siguria e shtuar vjen pasi pjesë të tjera të agjendës së Presidentit Trump janë vënë në veprim.
Presidenti vuri në dukje se si ai po rivendos politikën e tij “Qëndroni në Meksikë” dhe po i jep fund kapjes dhe lirimit, një politikë që lejoi kaluesit e paligjshëm të kufirit që kërkonin azil të ndaloheshin dhe më pas të liroheshin brenda vendit teksa prisnin një datë gjyqi. ©LAPSI.al