Kryetari iPD, Sali Berisha, gjatë një takimi me demokratët në Berat tha se, Partia Demokratike ia doli të jetë surpriza e vërtetë e revolucioneve demokratike të viteve ’90. Berisha tha se, themelimi i PD në Shqipëri, e cila asokohe ishte Koreja e Veriut e Evropës, u prit si një surprizë, si një habi e madhe në mbarë Evropën dhe më gjerë.
“Të dashur demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë të Beratit, një përshëndetje të përzemërt, mirënjohje të pakufishme dhe përulje me nderimin më të madh para të gjithë atyre qytetarëve, banorëve të këtij rrethi që me guxim, me vizion, themeluan 32 vite më parë, në kushtet e një diktature të egër, partinë e parë opozitare, PD-në si parti të vlerave më të larta të njeriut, të dinjitetit, të lirisë, të familjes, të atdhedashurisë, të interesit kombëtar.
Themelimi i PD në Shqipëri, e cila asokohe ishte Koreja e Veriut e Evropës, u prit si një surprizë, si një habi e madhe në mbarë Evropën dhe më gjerë.
Rikujtoj këtu pranverën e vitit 1991, kur përfaqësuesi juaj, do merrja pjesë në samitin e partive të qendrës së djathtë të Evropës, që në atë kohë quhej Bashkimi Demokratik Evropian.
Në atë samit, prania e Sali Berishës u quajt simbol i asaj që ka arritur Evropa. Po çfarë ishte Sali Berisha? Ishte njëri prej jush, 3 muaj në Evropë. Po përsëri Sali Berisha u përfaqësonte ju, gratë dhe burrat guximtarë, atë të cilën të tjerët nuk e prisnin, bënë të pamundurën, përmbysën diktaturën hoxhiste, diktaturën më staliniste të Europës, në një kohë kur në të katër anët besohej se Shqipëria do mbetej Kuba e Adriatikut.
Pra, realisht PD ia doli të jetë surpriza e vërtetë e revolucioneve demokratike të viteve ’90.
Në të gjithë udhëtimin e saj, kjo parti pa diskutim me gjithë gabimet e saj, Shqipërinë hiperkolektiviste, e shndërroi në Shqipërinë e iniciativës së qytetarëve.
E shndërroi në vendin e shpresës.
E shndërroi në vendin, i cili nga honet e varfërisë që gjendej edhe muajt e parë të vitit 1992, me të ardhurat për frymë vendi i tretë më i fundit në botë, ia doli ta rendisë në vitin 2008 në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.
Ia doli që ekonomia shqiptare t’i rezistojë edhe krizës evropiane.
Ia doli që sektori privat të jetë udhëheqës dhe dominues në ekonominë e këtij vendi.
Ia doli të hapë Shqipërinë, ta anëtarësojë në Këshill të Evropës, të hapë negociatat me BE, ta anëtarësojë në NATO.
Pra, në këtë kontekst, po ta përmbledhim me një fjalë, PD u faktua para shqiptarëve një lokomotivë e vërtetë e zhvillimit të vendit dhe integrimit të tij euroatlantik”, tha Berisha.