InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
No Result
View All Result
Home Opinione

Çështja “Parashqevi Simakun”, kur teprimi i kalon caqet dhe glorifikimi shndërrohet në anatemë

19 Dhjetor, 2024
in Opinione
A A
Çështja “Parashqevi Simakun”, kur teprimi i kalon caqet dhe glorifikimi shndërrohet në anatemë

Nga Albert Vataj

Kam shkruar për Parashqevi Simakun, me zellin e një nostalgjie dhe admirimin e një ikone, atëherë kur askush, as më fanatikët e kësaj doktrine që po u bie kambanave të kremtes si për mort, nuk e vuri ujin në zjarr, nëse ajo jetonte në një stacion treni, siç pretendohet, e braktisur nga shëndeti, fati, bashkëshorti, djali, lavdia, apo e ngjitur në apogje, ku ajo ndodhet sot.

Histeria kolektive e mëshirës, qajtorja pa orarë dhe ankimtaria pa karar, arsyeja kokëprerë e një paarsyeje për një dehje të këtyre përmasave, në të vërtetë nisi si një mjerim mediatik. Vijoi çështja “Parashqevi Simakun” si një dëshpërim masiv. Gojët e liga mendojnë se ndoshta ajo erdhi për të marrë këtë interesim edhe si ndonjë qëllimsi dashakeqe, e veshur me petka keqardhjeje dhe mirësie. Dhe për çudi kjo “gjëmë e madhe” shkrepi si një rrufe në qiell të kthjellët në këtë fillimdimri. Erdh qyqare kjo lëngatë, si një bimë e tharë, që në të shuarin e etjes, uji i zë frymën.

Ndoshta kishte të drejtë, filozofi dhe sociologu italian Umberto Eco, kur tha se: “Shoqëria moderne shpesh e kthjellon kujtesën kolektive në një spektakël të ekzagjeruar, ku miti i të shkuarës kthehet në një kult, ndërsa realiteti i së tashmes harrohet.”

Në kontekstin shqiptar, një fenomen i tillë mund të përshkruhet, si një përzierje e nostalgjisë me një tendencë për t’u përqendruar në figura ikonike, deri në atë pikë, sa ato kthehen në simbole të një epoke, duke shkaktuar një “zombizëm kulturor”. Ky zombizëm lidhet me mbingarkimin emocional dhe shpesh me humbjen e aftësisë, për të ndarë vlerën e vërtetë artistike nga glorifikimi në përmasat e ekzagjerimit.

Në këtë rast, vëmendja e tepërt u bë si një shpërqendrim nga analiza reale e kontributit të Parashqevi Simakut në art, dhe mundi të shërbejë si një justifikim, për të mos u përballur me sfidat bashkëkohore në kulturë dhe art. Kjo mundi të nxisë një fenomen të përsëritur të glorifikimit të së kaluarës, në dëm të të ardhmes, e pse jo edhe anatemimin e atyre, atyre që ndoshta meritojnë dhe u takojnë më shumë, por pranojnë dinjitetshëm dhe pa u bërë palë ankimtarie, fatin e tyre si pjesë e jetës, pa e përdorur atë. Kurrsesi jo, për qëllimin e dikujt apo interesin një logjike të palogjikshme algoritmi, të zhbëjnë çfarë ata kanë ngritur me mund, sakrifica, pasion dhe përkushtim, dhe që mbetet jo krejt e tyre, se sa trashëgim i vlerave dhe veprave tona identitare, si shoqëri dhe komb.

Megjithatë gjithçka që ishte për t’u bërë u bë, dhe vijon edhe përtej caqeve të së mundshmes së rrokshme përmes një logjike racionale, duke na bërë të gjithëve palë dhe duke na ftuar të gjithëve, për të hedhur sekush nga një hedhurinë në këtë pirg që çdo ditë që kalon, veçse kudëbon.

Nuk mbeti zeje e shkrimit dhe gojëtarisë ndër ne, pa shpërfaqur virtuozitetin e gatishmërisë për të rrëmbyer sekush nga pak rrëze nga ky shpërthim i beftë, i cili siç erdhi për ta nxjerrë në dritë Parashqevi Simakun, ashtu do ta gropos sërish atë në terr, ndoshta shumë më të thellë se ku ishte, sepse si pa dashje, asaj ia kujtuam se kush ishte, madje edhe ca si shumë më shumë, e cila do ta ndjekin atë si fantazmat e dala nga Kutia e Pandorës.

U fol, u shkrua, dhe me shumë gjasë po mblidhen edhe para, shumë para, humaniteti dhe rivaliteti, jo për ta rikthyer atë në lavdinë, kur ajo na magjepste në skenat e këngës, siç nisi të feks hiri i saj me një buzëkuq, as për t’i kthyer asaj ç’farë fati ia kishte mohuar, se sa për të treguar se ne seç kemi një nevojë për ta ekzagjeruar, për t’i çuar gjërat në teprim.

Dhe e gjitha kjo që ngjau dhe do të vijojë ende për Parashqevi Simakun, është jo tamam mjerimi i saj, tragjizmi ku e ka flakur jeta, se sa varfëria dhe shterimi i motiveve dhe angazhimeve të çdoditshme, dhe prirja jonë kotësidashëse.

Sa u morëm me Parashqevin, dhe e sigurt kjo, jo e ekzagjeruam, por e bëmë bajat, ndoshta do të mund t’i shërbenim disa gjërave më të hajrit, të halleve dhe derteve ndër shqiptarët e komunitetit të artistëve, shumë prej të cilëve i kemi flakur tej në mohim, mospërfillje dhe përçmim. E pse jo, në kryeherë të ftillohemi, t’i thërrasim kujtesës dhe mendjes, logjikës së kritikës dhe arsyes së artit, dhe ta shihnim figurën e Simakut, në ato përmasa që ajo ishte, dhe pjesën e mbetur të këtij dielli që potencuam ndaj saj, jo për fajin e saj, se sa për budallikun tonë, ta hedhim e t’u shkrijmë eshtrat e tharë të atyre fatkeqëve artistë me “A” të madhe, që fatmirësisht jeta po i shpërblen me ca vite më shumë, ndopak fat dhe mirënjohje nga e jona.

O Popull, dikush duhet të dalë mbi këtë rrjedhë, që na ka vënë përpara, dhe të thotë mjaft më me Parashqevi Simakun, se edhe teprimi ka një kufi. Sepse me shumë gjasë, po i tregojmë asaj, atë që është e huaj dhe e panjohur për të sa ç’është edhe për ne një diçka me shumë paqartësi dhe shumë, shumë hiperbolizime. Me fjalë të tjera, ne po i veshim asaj një lëkurë lavdie që po i zë frymën. Po e ngremë atë aq lart, sa nuk do të mund askush nga ne, ta presi kur ajo të bjerë sërish poshtë, ndoshta më thellë se nga ku e nxorëm.

Gjithpoaq, Simaku u shndërrua në një fenomen, u bë një simbol i një tendence, për të përdorur nostalgjinë apo mëshirën, si mekanizëm për të krijuar emocione të momentit, por jo për të adresuar realisht problematika apo vlera më të thella. Në këto momente thatësire, idesh dhe mendimi, dritëshkurtësie dhe çoroditjeje, turravrap dhe ndërkrymjeje, po trazojmë tabanin e një burimi, duke turbulluar ujin ku po pimë, pa mundur ta pastrojmë atë më parë.

Ajo e cila nuk duhet që një ditë do të na zënë në befasi, dhe të na hedhin në pendim, është se e njëjta valë që e ngriti Simakun në sipërfaqe, duke e nxjerrë nga thellësia e zezonës së fatit të saj, për të cilën nuk kemi pse të ndjejmë asnjëri përgjegjësi, e sigurt që do të fashitet shumë më shpejt, se sa çdo hamendësim futurist përfytyron, dhe do ta kthejë atë sërish në harresë, në një të tillë shumë më të thellë madje dhe shkatërruese, se ku ajo ishte dhe bashkëjetonte në harmoni, para se dikush, për një qëllim apo për një arsye, u kujtua për të dhe e solli në skenë si një zbulesë, duke na bërë të gjithëve fajtor dhe budallallepsur jo më pak, për se si ju qas jeta një këngëtareje, pavarësisht sa lart e ngjiti adhurimi ynë dhe sa vërtetë ajo qëndroi në panteonin shqiptar të këngës.

Ekzagjerimi, siç edhe çdokujt i ra në sy, i këtyre fenomeneve, duhet të ndërgjegjësohemi, se është shenjë e një shoqërie që ndoshta ka humbur lidhjen me angazhime më produktive dhe më të dobishme, dhe duhej të vinte një kotësi e kotë se kjo, me të cilën ata të mbushin boshllëkun e tyre, dhe, media, ajo që orkestron gjithë këtë lojë, të pretendojë se ju kthye obligimit detyrues të informimit publik.

Është e qartë që nevojitet një ndryshim paradigme. Vëmendja dhe energjia duhet të kanalizohen drejt projekteve që kanë vlerë dhe që kontribuojnë në mënyrë konkrete në përmirësimin e shoqërisë. Në vend që të “mblidhen para”, për një fushatë sensacionale, ato mund të përdoren për të ndihmuar artistët, në krijimin e veprave të reja ose në dokumentimin e trashëgimisë së tyre, dhe jo për të dehur njerëzit, se sa para u mblodhën, se kush dhuroi këtë, dhe cili pati mirësinë të ofrojë këtë gjënë tjetër, për të na shfajësuar si shoqëri nga ky “gjynah”.

Nëse ka interes për figurat e së kaluarës, dhe nëse gjithë ky merak për Parashqevi Simakun është real dhe jo virtual, është zgjim në ndërgjegje i një shoqërie, dhe jo histeri kolektive për hiçmosgjë, kjo kohë e investuar dhe kjo energji potenciale, e orientuar drejt asgjëje konkrete, nëse, lavdi Zotit kjo bëhet kulturë e reflektimit shoqëror, e reagimit energjik, ky gjenerim mund të shoqërohet me një përpjekje për të edukuar brezin e ri, për vlerat e tyre artistike dhe kulturore. E pse jo, futjen e kujtesës nën kujdesin e institucioneve, krijimin e kapitaleve njerëzore dhe financiare në vlerësimin dhe konsiderimin me mirënjohje të denjë, për ata, të gjithë, që kontribuuan në rritjen dhe formësimin cilësorë të traditave, me të cilat përfaqësohemi dhe nderohemi si komb.

Megjithatë në një vëzhgim tërësorë të situatës na lind e drejta të pyesim: A është kjo valë e momentit një pasqyrë e një vakumi të thellë emocional e kulturor në shoqërinë tonë? Dhe nëse po, si mund të ndërtojmë një kulturë që i jep vlerë figurave të saj, pa i konsumuar ato në mënyrë sipërfaqësore, dhe pa i denigruar, përjashtuar apo fyer ata, që vuajnë nën peshën e këtij mali, “që u mbars për të pjellë një mi”?

Vëmendja e tepruar ndaj disa figurave, ndonjëherë pa një arsye të qartë artistike apo kulturore, shpesh pasqyron dinamikat e sipërfaqësisë dhe sensacionit që dominojnë komunikimin publik në ditët e sotme. Nga ana tjetër, është ironike që e njëjta shoqëri shpesh anashkalon, harron ose nuk i jep vlerësimin e duhur, figurave që kanë pasur një ndikim më të madh dhe më të qëndrueshëm në kulturën shqiptare. Po, bëhet fjalë për ato artistë, me të cilët shkëmbehemi në rrugë, u lëshojmë vendin në autobus, i ndihmojmë të ngrihen nga ndenjësja në një shërbim shëndetësor shtetëror. E kam fjalën, pikërisht për ata që bën një art të madh nën diktaturë, nën represion dhe nën mizori, dhe u duhet që sot në të mbaruar të viteve të pështyhen në fytyrë, për çfarë ata nuk mund të jenë, që të përfitojnë nga kjo maskë e shëmtuar altruizmi dhe idiotësie, që stolis krenarinë tonë të mburrjes dhe kapardisjes së këqardhjes.

Në një epokë të fokusuar në momentin e tanishëm, figura që ngjallin ndjesi nostalgjike ose që bëjnë “zë” në mediat sociale marrin vëmendje disproporcionale, dhe ky nuk është vetëm fakt por është edhe faj, për të cilin askush nuk merr përgjegjësi.

Vëmendje miq të ububushmërisë së rrjeteve sociale, le të kthjellohemi dhe të kuptojmë se ç’po ndodh dhe si mund të dalim nga kjo mesele. Artistët që nuk janë të pranishëm në këto platforma, ose që nuk ndjekin këtë mënyrë të promovimit, mbeten jashtë radarit, ose të kyccur në një burg mizor harrimi, derikur vdekja të trokasë për t’i ccuar ata në përjetësi dhe ne për të na treguar se edhe ky ishte. E pse? Sepse ne shpesh priremi të bëjmë atë që bëjnë të tjerët, pa e ditur se ku i shpie kjo ata dhe ku na degdis ne.

Po, është paradoksale që artistë dhe intelektualë të nivelit të lartë, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për artin dhe kulturën shqiptare, mbeten në hijen e harresës, jetojnë në mjerim dhe largohen tinëzisht pa nderimet që u kemi borxh dhe pa respektin që na fyen. Ky është një tregues i prioriteteve të çrregulluara të diskursit publik, ku ndonjëherë vlerësimi për cilësinë artistike zë vendin e dytë ndaj sensacionit. Jo sepse kjo është koha, dhe kështu orvaten gjërat nën një valë presioni viraliteti, dhe përfshihesh pa u kuptuar se ku të merr dhe ku të plas. Jo, sepse vetja, por më shumë se vetja, përgjegjësia dhe integriteti, por më shumë, mundësitë, të kanë armatosur me një dritëpamësi të tillë që verbërinë nuk ta toleron. Gjithnjë je në kohë për të ndaluar, për të t’i thënë vetes, thirri mendjes!

Edhe pse çudia më e madhe, zakonshmit tre ditë zgjat, kësaj here do ti duhen 33 ditë, çudisë Parashqevi Sipaku të na hiqet qafe, t’i lërë radhë të tjera kotësive, me të cilat të mbushim kohën me boshllëk shumë më plotë se ky.

Të Lidhura

Martin Henze: BE-ja mund të ekzistojë vetëm nëse sundimi i ligjit dhe demokracia jo vetëm pranohet, por edhe ushtrohet; nuk kemi nevojë për qeveri të korruptuara si ajo e Ramës në BE
Opinione

Martin Henze: BE-ja mund të ekzistojë vetëm nëse sundimi i ligjit dhe demokracia jo vetëm pranohet, por edhe ushtrohet; nuk kemi nevojë për qeveri të korruptuara si ajo e Ramës në BE

30 Maj, 2025
“Zgjedhjet e 11 Majit 2025 në Shqipëri”/Martin Henze: Manipulim Elektoral, Shtet Kleptokratik dhe Krizë Kushtetuese”
Opinione

“Zgjedhjet e 11 Majit 2025 në Shqipëri”/Martin Henze: Manipulim Elektoral, Shtet Kleptokratik dhe Krizë Kushtetuese”

29 Maj, 2025
Martin Henze: Një monstruozitet ka ndodhur në Shqipëri
Opinione

Martin Henze: Një monstruozitet ka ndodhur në Shqipëri

17 Maj, 2025
Henze: Pritëm nga Rama pak më shumë inteligjencë dhe maturi, që zgjedhjet të mos manipuloheshin në përmasa si në Rusi
Opinione

Henze: Pritëm nga Rama pak më shumë inteligjencë dhe maturi, që zgjedhjet të mos manipuloheshin në përmasa si në Rusi

12 Maj, 2025
Henze: Koha e Ramës ka mbaruar, lojërat e tij nuk pranohen më ndërkombëtarisht. duhet të japë dorëheqjen para zgjedhjeve
Opinione

Henze: Koha e Ramës ka mbaruar, lojërat e tij nuk pranohen më ndërkombëtarisht. duhet të japë dorëheqjen para zgjedhjeve

8 Maj, 2025
Vota për Alketa Agollin, votë për fisnikërinë dhe dinjitetin e femrës shqiptare!
Opinione

Vota për Alketa Agollin, votë për fisnikërinë dhe dinjitetin e femrës shqiptare!

1 Maj, 2025

TË FUNDIT

“17 vjet më parë Irani më kërcënoi për romanin tim”, Ben Blushi: Kur po shkruaja “Parajsa artificiale”, i bindur se ky vend agresiv na bën dëm
Aktualitet

“17 vjet më parë Irani më kërcënoi për romanin tim”, Ben Blushi: Kur po shkruaja “Parajsa artificiale”, i bindur se ky vend agresiv na bën dëm

14 Qershor, 2025

HOROSKOPI i ditës së sotme, e shtunë 14 qershor 2025
Horoskopi

HOROSKOPI i ditës së sotme, e shtunë 14 qershor 2025

14 Qershor, 2025

Tabaku: Nuk mund të sillemi si europianë në Bruksel dhe si autokratë në Tiranë
Politikë

Tabaku: Nuk mund të sillemi si europianë në Bruksel dhe si autokratë në Tiranë

13 Qershor, 2025

Vijojnë temperaturat e larta në vendin tonë, vlera maksimale regjistrohet në këtë qark
Aktualitet

Vijojnë temperaturat e larta në vendin tonë, vlera maksimale regjistrohet në këtë qark

13 Qershor, 2025

"InfoPressAlbania", është një media e re online, e lançuar më 04 Nëntor 2018. Synimi i "InfoPressAlbania" është informimi në kohë reale i ngjarjeve, por edhe zhvillimeve të tjera nga politika, showbiz, sport, kulturë, etj. Moto e "InfopressAlbania" është: Lajmi vjen tek lexuesit përmes këndeve të ndryshme të vëzhgimit. Ne hulumtojmë përtej lajmit për të shpalosur për lexuesit të vërtetën. E veçanta e InfoPressAlbanai qëndron në promovimin e "Modeleve të Suksesit" të bizneseve dhe individëve në fusha të ndryshme, që me shembullin e tyre janë motivues për gjithsecilin. I përkushtuar për të ofruar një mbulim origjinal konstant në të gjithë Shqipërinë mbi fushat e lartpërmendura, InfopressAlbania, synon gjithashtu, të sigurojë akses në lajmin e parë, duke ofruar një staf gazetarësh që do të shërbejnë si sistem rrjetizues për mbulimin e informacionit në të gjithë territorin.

@2024 InfoPressAlbania

No Result
View All Result
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz

© 2024 Infopressalbania.com