Partia Demokratike mblodhi pasditen e kësaj të diele Këshillin Kombëtar të saj. Në një fjalim të mbajtur online nga banesa e tij, kryetari Sali Berisha u ndal gjatë tek burgosja e deputetit Ervin Salianji.
“U burgos sepse guxoi të bëjë detyrën e tij. Sepse guxoi të denoncojë publikisht vëllazërinë më të rrezikshme të mafies së drogës të atyre viteve, konkretisht të denoncojë vëllazërinë Xhafaj, Geronin e saj, vëllain e Fatmir Xhafës, për trafik droge.
Ervin Salianji pas këtij akti qytetar, pas këtij akti të guximshëm opozitar, pas kësaj mbrojtje që i bëri shtetit ligjor dhe Kushtetutës së vendit, pati si shpërblim hakmarrjen e verbër të vëllazërisë kriminale Xhafaj dhe vëllazërisë Rama, dëbimin dhe burgosjen për kallëzim të rremë” – tha Berisha.
Sipas Berishës e vërteta është se me burgosjen e Ervin Salianjit, Edi Rama nisi fushatën e terrorit ndaj opozitës dhe shqiptarëve.
“Prej denoncimit kurajoz të Ervin Salianjit, Geron Xhafaj sot gjendet prapa hekurave në Itali, pikërisht për trafik droge. Vlora dhe Shqipëria kanë një kriminel më pak. Por për gjykatën politike personale të Edi Ramës, për gjykatën e sunduar nga krimi i organizuar, me urdhër të partisë, Ervin Salianji shkoi në burg për kallëzim të rremë, bazuar në kallëzimin e Geron Xhafës, si një hakmarrje, si një dëshmi e sundimit të plotë të kodit të mafies të vëllazërive mafioze Rama-Xhafaj në Shqipëri” – tha Berisha.