Fatime Suli, 64-vjeçarja që u gjet e vdekur një natë në parë në një kanal në fshatin Kozare në Kuçovë është vrarë nga komshiu i saj.
Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi Fetah Marra,58-vjeç banues në fshatin Havaleas, Kuçovë, i cili dyshohet se për motive të dobëta, e ka mbytur dhe e ka lënë në një kanal gjysëm të zhveshur dhe të mbuluar me gjethe 64-vjeçaren.
Ndërkohë, burime për mediat bëjnë me dije se shkaku për të cilin Marra vrau 64-vjeçaren ishte një hua që ai i kishte marrë familjes së gruas.
Njoftimi i plotë:
Kuçovë
Mbyti 64-vjeçaren dhe e hodhi në kanal, Policia zbardh ngjarjen dhe identifikon autorin e dyshuar.
Vihet në pranga 58-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas marrjes së njoftimit për një shtetase të pajetë në kanal, në fshatin Havaleas, Kuçovë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje, së bashku me grupin hetimor.
Falë veprimeve të shpejta dhe informacioneve të grumbulluara u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kuçovë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. M., 58 vjeç, banues në fshatin Havaleas, Kuçovë, i cili dyshohet se për motive të dobëta, e ka mbytur dhe e ka lënë në një kanal shtetasen F.S., 64 vjeçe, banuese në fshatin Havaleas, Kuçovë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.