Pamjet e djeshme tek “5 Maji“ ku dhjetra familje u nxorën në rrugë, përmes një skeme klasike të bashkëpunimit “pushtet-para“ që dhunon qytetarët dhe shemb banesat e tyre për ndërtime oligarkësh, janë kronikë e një“fati“ të paralajmëruar prej kohësh në këtë vend, ku mafia dhe krimi i organizuar kanë zaptuar jetën politike, ekonomike dhe sociale.
Në lidhje me shembjen e banesave dhe dhunimin e qytetarëve, ku më e turpshmja ishte dhuna ndaj të moshuarës, ka reaguar fuqishëm ish-deputeti Eduart Ndocaj, i cili me një gjuhë të ashpër ka dënuar sjelljen e uniformave të policisë, si dhe ka kërkuar mbajtjen e përgjegjësisë për akte të tilla, të cilat janë të turpshme për një vend që aspiron integrimin europian.
Reagimi i ish-deputetit Ndocaj:
Sot, pashë disa vajza injorante, të veshura me uniformën e policisë që dhunonin një grua të moshuar, një fisnike mirditore, që mund të ishte nëna e çdo njërit prej nesh. Ndjehem i shastisur dhe shpreh neveritje nga kjo klasë politike 30 vjeçare: e majtë dhe pseudo e dhathtë që po vrasin çdo qelizë dhe vlerë të humanizmit për t’u pasuruar mbi dhembjen dhe vuajtjen e nënave e motrave tona! Këto pamje të sotme, janë shprehje e asaj çorbe të prishur që kemi ngrënë si shoqëri gjatë këtyre tre dekave, ku kemi pranuar të pajtohemi me të keqen dhe kemi lejuar të instalojmë sistemin e “shkërdhatokracisë” siç do të shprehej Dritëro Agolli. Bashkërisht kemi lejuar që këta batakçinj të na udhëheqin dhe të na vrasin shpresën duke na degdisur rrugëve të botës një popull pa Atdhe. Klithmat e kësaj nëne do të jenë mallkimi i të gjithëve atyre që po ndërtojnë pasurinë në dëm të mundit dhe djersës së të tjerëve.
E. N