Nga Indrit Vokshi
Në vitet 1920, rinia avni-rrustemse, politikanëve kundërshtarë u gjuanin me sende. Disa prej tyre i kapnin dhe u jepnin me zor vaj ricini.
Klika e Dorës së Kuqe dhe Klika e Dorës së Zezë, vepronin asokohe në Tiranë dhe keqpërdornin disa të rinj për të bërë shantazh kundër armiqëve dhe për t’i poshtëruar armiqtë, duke menduar se kjo i ndihmon për arritjen e qëllimeve pushtetore.
Një ditë iu afruan deputetit kosovar Sali Vuçiterna. Saliu sapo i pa nxorri revolen. Trimat u shpërndanë ia futën vrapit e u fshehën shpejt e shpejt. Sepse këta lloj trimash, janë trima po të panë të urtë e të kulturuar, aty ku e dinë se nuk nxirret revolja. Po e kuptuan se nxirret revolja, thonë: respekte shok.
Në përfundim, thjesht më vjen gjynah se si njerëz në moshë rinore, angazhohen në vepra poshtëruese për veten, duke qenë të bindur se po poshtërojnë tjetrin. Pa pasur kapacitet për ta kuptuar në asnjë moment se po poshtërojnë më shumë veten, sesa tjetrin.
Po të ishin të rinj të shoqatave ambientaliste të cilët protestojnë kundër politikanëve dhe u gjuajnë me vezë e domate, do të ishin më të përligjur e më të mirëkuptuar. Sinqerisht. Po terri të trishton kur sheh të rinj që gjuajnë pse u ke cënuar idhujtarinë.
Si në fiset pagane para 5000 vitesh, flijohej kafsha apo njeriu për kënaqësi të idhullit. Sot flijohet vetja, flijohen personaliteti dhe dinjiteti, për kënaqësinë e idhullit. Për të qenë i denjë për të.
Basha, Rama, Berisha, Meta, janë kryetarë të grupimeve miliardere dhe do i mbyllin ciklet pa i pyetur këta të rinj. Këta të shkretët pasi të shpërdorojnë veten në rini, do katandisen hallexhinj 45 vjeç e do shfryjnë: “Ah të isha edhe një herë 25”.
Ky vend vazhdon mbetet terr totalitar e çerdhe ekstremistësh dhe fanatikësh.