“Ramush Haradinaj është një politikan i rrezikshëm dhe serioz. Ata të bëjnë ç’të duan, por ne do e kemi një përgjigje të mirë dhe adekuate. Qytetarët tanë të mos shqetësohen“.
Kjo është një pjesë e deklaratës së sotme të presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiç, i cili teksa komentoi zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë do të deklaronte se me Haradinajn president dhe Albin Kurtin kryeministër, “Shqipëria e Madhe” mund të bëhej realitet.
Por nuk ka munguar as përgjigja e kreut të AAK, Ramush Haradinaj.
Përmes një postimi në Facebook Haradinaj shprehet se për sa kohë Vuçiçit i dukem i rrezikshëm, do të thotë se jemi në rrugë të drejtë.
“Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiçit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë!
Mos keni frikë, z. Vuçiç. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon.
Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejtën tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës.
Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi!’, shkruan Haradinaj.