Çështja e detit, Ylli Manjani: Ne NUK KEMI SHTET mjaftueshëm për të zhvilluar negociata me shtete të tjera…

Nga Ylli Manjani

Ta sjellim si të duam muhabetin, por ne sot NUK KEMI SHTET mjaftueshëm për të zhvilluar negociata, apo lidhur e zgjidhur marrëveshje me shtete të tjera.

Aq më pak të mendojmë se do ndajmë kufinj me shtetet fqinje!!!

Absurde ta mendosh.

Pushteti monist nuk mund të zëvendësojë shtetin me pushtete të ndara.

Në një vend ku mungon gjykata, ku nuk njihet e respektohet kryetari i shtetit, ku administrada i shërben ekskluzivisht pushtetit monist nuk flitet më për shtet.

Ndaj çdo lloj marrëveshje apo edhe mosmarrëveshje për të cilën kërkohet gjykim ndërkombëtat deri në Hagë, nuk mund ta vendosë e as përfaqësojë pushteti monist.

Meqë jemi tek Haga, reagimet publike të dy Profesorëve të së drejtës Ndërkombëtare Xhezair Zaganjori dhe Ksenofon Krisafi, duhen kuptuar mirë e dëgjuar me qetësi e maturi.

Të dy profesorët në thelb kërkojnë një shtet me pushtete të ndara dhe Gjykatë Kushtetuese në fuqi për të gykuar nëse vajtja në Hagë është apo jo e nevojshme.

Këtë gjë nuk e vendos dot Kryeministri as me kokë e as për qejf të vet!

Askund nuk ndodh kjo gjë.

Profesor Zaganjori madje sugjeron praktikën Sllovene, sipas të cilës vajtjen në arbitrazh ndërkombëtar e vendosi referendumi popullor. E pra sllovenët kanë shtet sa të duash, mjaftueshëm për ta bërë zap pushtetin politik atje.

Në rastin tonë nuk po shkojmë deri tek referendumi, por tek nevoja minimale për institucione shtetërore që bëjnë detyrën kushtetuese në të mirë të integritetit territorial. Po kërkojmë vetëm transparencë, ose informim sipas të drejtës kushtetuese për informim.

Informim jo propagandë!

Para se të vendoset në Hagë apo jo, duhet të dimë të gjithë:
çfarë shkoi keq në bisedime?
A u shterruan të gjitha alternativat?
Kush është teksti i mosdakortësuar?
Përse nuk u ra dakord?

Më tej akoma:
cilat janë shancet e jë zgjidhje të drejtë ndërkombëtare?
A i kemi ne burimet e nevojshme njerëzore dhe profesionale për të përballuar një gjykim kaq të rëndësishëm?
Cilat do ishin skenarët dhe reagimet proporcionale?

Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje, përpara se të merret një vendim për rrugën e zgjidhjes.

Dhe këto përgjigje nuk i jep, se nuk i ka pushteti monist.

Duhet të bëjm shtetin si fillim, pastaj të përfaqësohemi në marrëdhënie me shtete të tjera.

Ndërkohë dikush duhet të DENONCOJË çdo akt të njëanshëm politik të pushtetit që ndërmerret në emër të shtetit, i cili pa gjykatata në fuqi NUK EGZISTON!