Gabeli me mustaqet dy pëllëmbë e ca,
me barkun të rrumbullt, si fuçi birrash,
ka pranë dy dashnore me sisë të mëdha,
ka xhepa të ënjtur, me para vjetërsirash.
Gabeli bllokon klubin e këndon tallava,
vë përpara qengjin të pjekur në tavë,
kamerierit i hedh bakshish në tabaka,
aq sa pronari i paguan punën një javë.
Kur më pikasi mua, që më ka komshi,
u gajas së qeshuri, me zërin e çjerrë:
“Çoi nga unë një birrë, atij robit aty!”
urdhëroi kamerierin me ton të prerë;
Dhe tha: ”Kam gjynah për atë rob zoti,
se mban dritën çelur, deri në saba,
bën libra në vapë, e kur të than i ftohti,
dhe e paguajnë të hajë supë, si kalama!”
U ndjeva aq keq, sa desha ta lë klubin,
Por dashnorja e dehur, më zërin zuzar:
tha: Pije birrën, o Aga, se ta heq turpin,
ta shtyp kokën mes sisëve, si kokërr arrë!
Pashë sisët e saj, sa dy qypa prej mishi,
teksa gati shpërthenin grykën e fustanit,
dhe më zuri frika, sikur dy gjyle të ishin,
do ma shpërthenin kokën në mes lokalit.
Më ngeci në fyt, birra e gabelit milioner
dhe u betova, për profetët e shenjtëruar,
në klubin e lagjes, nuk hy më tjetër herë,
të shpëtoj dhe kokën, nga sisët dërmuar!…