Nga Edlira GJONI
1- Reforma zgjedhore u dakordësua, u kundërshtua, u ripa, u tjetërsua, u miratua pa e ditur as miratuesit vetë se për çfarë ranë dakord.
2- Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale, por është burim tragjikomedish me noterë e parukierë.
3- Gjykata e lartë funksionon aq mirë sa dhe talebanët e Afganistanit do ëndërronin të ishin në juridiksionin e saj.
4- SPAK është krijuar me pak shtytje, por e ka nisur duke prodhuar skepticizëm e plot furtunë brenda një luge me ujë.
5- Korrupsionit po i nxjerrim ujë të zi, pa bashkëpunim fare me shtetet anëtare të BE-së. Na i ka kufizuar pandemia frytet e përbashkëta.
6- Nuk është ulur vetëm numri i azilkërluesve shqiptarë në Europë, por që nga Marsi, është zeruar fare numri i vajtje-ardhjeve në BE. E pati këtë efekt flama.
7- Rishikim i ligjit të medias. Poooo! Qeveria tha “E respektojmë vendimin e Venecias”. Si thënie! Si vepra, vazhdojmë të furnizojmë a censurojmë mediat sipas oreksit propagandistik.
8- Miratim ndryshimesh për regjistrimin e popullsisë….Zhurmë pati. Minoritetet na dolën edhe me nga 10 veta. Do dalim popullsi heterogjene e pas disa dekadash, do quhemi barbarë që u kemi zënë tokën fqinjëve, se vend tonin, nuk kemi.
9- Vazhdim i reformës në drejtësi: Opera me 3472 akte…Vazhdon deri në 2330-ën.
10- Progres në reformën administrative! Si urdhëron! 4 saraje! Pa pyetur askënd!
11- Gjykimi për politikanët e përfshirë në blerjen e votave…! Gjykim po, por politikanë? Më me kujdes o trima! Nuk preket thesari kombëtar i politikës! Jemi shtet sovran ne!
12- Ecuria e regjistrimit të pronave…Të gjitha nē emër të politikanëve e veglave të tyre.
13- Aktet për ligjin e pakicave….Pak si shumë djeg kjo.
14- Zbatimi i reformës zgjedhore….?
15- Vendimi mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve 2019!- Cilat? Ato që ndërkombëtarët çertifikuan? Po s’dalim mbi të mëdhenjtë ne! Na dhanë dorën!
E me kaq, 15 kushtet e negociatave fluturojnë të lira mbi qiellin e boshatisur shqiptar!