(Që me datë 6 prill 2020)
E nderuar Zonja Ministre e Shëndetësisë!
Prej shumë javësh COVID-19 është një pandemi, një epidemi mbarëbotërore, dhe unë në këtë letër ndaj Jush, nuk dua të diskutoj këtë.
Disa vende janë goditur më shumë se disa të tjera, por ndikimi ndihet thellësisht në një shkallë botërore, dhe kuptohet më mirë se sa askund në komunitetet mjekësore, ato të bizneseve, në jetën social-politike etj.
Letra ime ndaj Jush nuk ka të bëjë me vetë virusin apo dëmet që i shkakton trupit të njeriut por me cfilitjen që ju shkakton burimeve tona të kufizuara mjekësore.
Dihet pothuaj nga të gjithë që COVID-19 është një virus respirator, prek rrugët e sipërme e të poshtme respiratore , por edhe më gjërë.
Infeksioni pulmonar shkakton ARDS, sindromi i insufiçiencës respiratore acute.
Në ARDS i sëmuri është i pamundur të marrë frymë vetë, dhe trajtohet vetëm në njësitë e kujdesit intensiv me frymëmarrje të drejtuar.
Ne edhe respiratorët , ashtu si gjithë bota, i kemi të kufizuar në numër, por le të jemi optmistë që mund të kemi aq sa na duhen.
Siç e dimë mirë, në Shqipëri (por jo vetëm) nuk kemi mjaft mjekë, dhe sidomos mjekë reanimatorë për të trajtuar një fluks të rritur të pacientëve, prandaj, nevoja kalon tek personeli mjekësor shtesë që ka specializim apo trajnim në fushën e kujdesit intensiv.
Per opinionin tim Ministria e Shëndetësisë do të bëntë një punë të lavdëruar dhe të dobishme nqs në këtë kohë do të ndërmerrte kualifikimin, trajnimin e shumë mjekëve dhe infermierëve për kujdesin intensiv në mënurë që shumë mjekë të aftësoheshin në intubimin, reanimimin dhe asistimin e të sëmurëve me ARDS në mënyrë që të jemi gati për ndonjë skenar më të keq.
Unë dhe plot mjekë e jo vetëm lutemi që kjo të mos ndodhë kurrë, por rastet në rritje, parashikimet për aktivizimin e virusit në stinët e ftohta që janë duke ardhur , duhet të na gjejnë të pregatitur !
Nuk është vetëm Shqipëria por mbarë bota që ka nevojë për reanimatorë sot !
Ministria e Shëndetësisë, Fakulteti i Mjekësisë sot duhet të mendojnë për një skenar më të rëndë, me qindra të sëmurë që kanë nevojë për frymëmarrje të drejtuar.
Gjasat për të patur nevojë për mjekë të kualifikuar të kujdesit intensiv duhen vlerësuar , dhe është e pafalshme të mbetemi përsëri me duart nga qielli (ti lutemi Zotit).
Shembulli vjen nga Franca, e cila filloi që në muajin prill trajnimin e më shumë mjekëve por edhe infermierëve në kujdesit intensiv.
Të njëjtën gjë zbatoi edhe Italia, e cila i ka thirrur të gjithë ata që kanë një gradë mjekësore, pa marrë parasysh çfarë niveli të ndihmojnë.
Edhe Ju zonja Ministre, keni ftuar studentët, pensionistët, por që të jesh i përgatitur do të thotë të jesh i kualifikuar, i trajnuar për të shpëtuar sa më shumë njerëz.
Natyrisht, është e pamundur të kualifikohemi të gjithë për të qenë një mjek reanimatorë, sidomos në një kohë kaq të shkurtër, por një kurs trajnimi prej disa javësh, (si ta gjykojnë politikëbërësit e sistemit) për të qenë të aftë për kujdes intensiv në këtë kohë për të qenë gati për një skenar më ogurzi është i domozdoshëm.
Sot kushdo është i qartë se qëllimi për këdo që thirret për të ndihmuar është thjesht ky: Të jetë i aftë për të shpëtuar jetë !
Ministria e Shëndetësisë duhet të gjejë mënyra on-line, ose direkt në spitalet COVID 1 dhe 2 në Tiranë për të trajnuar sa më shumë staf mjekësor për njësitë e kujdesit intensiv: Më mirë të pregatitet staf dhe të mos kemi nevojë në ditët që do të vijnë , se sa të kemi një skenar të zi e të ndodhemi pa staf të pregatitur .
Ju , si titullari e Ministrisë më të rëndësishme në këtë kohë, stafi Juaj, Komiteti i famshëm i ekspertëve, Ne , punonjësit kokëulur të sistemit, duhet të punojmë me mençuri e përkushtim bashkë që sistemi jonë i brishtë me shumë mangësi, (pasi dihet jemi një vend varfër e i keq-qeverisur), në mënyrë që të mos kolapsohet nga pakujdesia apo papërgjegjshmëria!
Ju lutem zonja Ministre nisni një program trajnimi për njësitë e kujdesit intensiv, në mënyrë që të jemi të gatshëm të shpëtojmë sa më shumë jetë !
Është më mirë që të pregatitet një kontigjen teknicienësh, dhe le të mos ketë punë për ta !
Me konsideratë Ilir Allkja, mjek .
(Pavarësisht se unë jam një qytetar opozitar me qeverisjen tuaj, besoj se do të prevalojë lutja ime si mjek i përkushtuar ndaj njerzve të vendit tim )