Covid-19/ Shqipëria në dispozicion 90 mijë teste, një e treta janë përdorur

Shqipëria ka në dispozicion të testimit të popullatës për konfirmimin e Koronavirusit rreth 90 mijë teste sipas raportimeve zyrtare që Ministria e Shëndetësie ka bërë në Organizatën Ekonomike për Kooperim dhe Zhvillim (OECD), deri me datë 15 korrik. Nga kjo sasi testesh më shumë se një e treta, rreth 32 mijë janë përdorur deri me 22 korrik.

Aktualisht dy spitale kryesore janë në shërbim për pacientët me koronavirus në Tiranë si “COVID 1” dhe “COVID 2”, ndërsa rreth 500 shtretër për shtrimin në spital janë në dispozicion të pacientëve me koronavirus.

Ne fillim të qershorit, një spital tjetër, i quajtur “COVID 3”, është përshtatur për t’u përgatitur për një valë të re të infeksionit.

Gjatë kësaj periudhe OECD raporton se Shqipëria forcoi kapacitetit me pajisjeve për shpëtimin e jetës për njësitë e kujdesit intensiv në spitale, me 265 monitorues të rinj dhe hapjen e 28 qendrave shëndetësore verore pranë plazheve rreth vend.

Pandemia ka rritur intensitetin gjatë korrikut, pasi numri i infektimeve dhe fataliteteve është rritur. 123 persona kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë deri me 23 korrik, ndërsa 4464 persona janë infektuar zyrtarisht, prej të cilëve 2523 janë shëruar.

Në raport me vendet të tjera të Rajonit Shqipëria ka burime të kufizuara financiare dhe logjistike për të përballuar flukse të larta të goditjes së pandemisë. Deri më tani situata duket të jetë nën kontroll si pasojë e masave kufizuese në grumbullime dhe nga përdorimi me detyrim i maskave në ambientet e mbyllura.

Shqipëria është vendi me numrin më të ulët mjekëve dhe infermierëve për banorë ndër vendet e Europës dhe Ballkanit Perëndimor, por pandemia mund të përkeqësojë më tej këtë trend duke nxitur emigracionin për shkak të kërkesës më të lartë për punonjës shëndetësisë në BE.

Në vitin 2017 përllogaritet se 18 për qind e fuqisë punëtore në shëndetësi ndodhet jashtë vendit, veçanërisht në Gjermani. Na viti 2010 në vitin 2017 janë larguar nga vendi 772 mjekë, me arsim të përgjithshëm ose me specializime pasuniversitare, sipas të dhënave nga Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Vjenës.

Ky numër përfaqëson më shumë se tre gjenerata të dala nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, ku diplomimet mesatare në një vit janë më pak se 200 mjekë. Kjo do të thotë se nga 7 gjenerata të diplomuarish, 3 kanë emigruar gjatë periudhës në studim.

Gjithsej numri i mjekëve shqiptarë në emigrim është 1029, por 772 prej tyre kanë emigruar nga viti 2010 deri në 2017, por ky numër realisht është edhe më i lartë pasi nga 2017 në 2020 emigrimi i trupës mjekësore ka vijuar me ritme të larta.

Nevojat më të larta për mjekë në Perëndim bashkë me pagat e ulëta të mjekëve në Lindje do të nxisin edhe më tej emigrimin e mjekëve nga Shqipëria, duke e dobësuar edhe më shumë aftësinë e sistemit tonë shëndetësor për të ofruar shërbime mjekësore cilësore.

Shqipëria është vendi me numrin më të ulët mjekëve dhe infermierëve për banorë ndër vendet e Europës dhe Ballkanit Perëndimor, por emigracioni do ta përkeqësojë më tej këtë trend. /Monitor