Gjon Keka, politologu, studiuesi dhe historiani shqiptar, që jeton dhe punon në Austri, së fundi pjesë e themelimit të “Lidhjes së Historianëve Shqiptarë nëpër Botë”, me Qendër në Zvicër.
“Gjergj Fishta, Gjergji i Dytë më i Madh Shqiptar”-shprehet Gjoni, pasi vetë është studiues i epokës së lavdishme Skënderbegiane.
Kujtojmë se në të mësuarit e traditës, në rastin e At Gjergj Fishtës, është pikërisht takimi i hershëm i tij, me traditën burimore. Ku te At Gjergj Fishta bie në sy: epika, si gjini mbizotëruese, e cila kërkon një njohje të veçantë, por edhe një ndjeshmëri intuitive, element, i cili është i pranishëm të ata autorë, që rriten në të tilla mjedise etnozakonore, si ai ku është rritur At Gjergj Fishta.
Paraqitja e traditave narrative në kontekstet e tyre ekzistuese, ku At Gjergj Fishta i nxori ato të gjalla ashtu, siç i gjeti te njerëzit, që takoi dhe në vendet ku punoi, duke filluar me kultin e të parëve të tij, deri te amaneti i lënë gjakut të tij, përmes përcaktimit të trojeve të veta, në mënyrë etnografike.
“Jerina ase mbretesha e luleve” është rasti më konkret, ku Orës së Mirditës, i drejtohet zëshëm se ajo paska dalë në majë të malit të Mundellës dhe kuvendonte me simotrën e saj, me Orën e Dukagjinit. Çdo fjalë e shkruar nga At Gjergj Fishta, mbart një simbol të koduar, por në rastin e testamentit të tij letrar, lënë gjakut fishtjan, ai është i kuptueshëm dhe i qartë, madje në disa raste është edhe lutës, ku i lutet Orës së Dukagjinit, duke iu drejtuar: “Pa ndijo, moj njomza e ahit”, pastaj e miklon atë, duke i thënë: “Moj bel-holla, rritë ndër molla”.
Përcaktimi i kufijve të të parëve të tij, At Gjergj Fishta nuk i vë përmes gurëve, që përcaktonin kufijve dhe bëhej ndarja e fiseve mes veti, por ai këtë përcaktim të kufijve të tij stërgjyshor, e bën përmes Orës së krahinës, të cilën e ka pagëzuar me emrin e vet krahinës së vendorigjinës së tij, pra Orës së Mirditës.
At Gjergj Fishta nuk mund të kalojë, pa i dhënë cilësitë, që Ora e krahinës së tij kishte, duke na kujtuar përmes kësaj poeme të tij, se parimet estetike kanë, po aq rëndësi sesa edhe vetë virtytet e malësoreve dhe vashave të Mirditës. Ora e Mirditës rri afër Gurrës së Lashtë, pasi aty sheh pasqyrimin e rrezatimit të saj, të bukurisë dhe bukuria vetë është e barasvlershme me lulen, madje vetë lulet shpallin konkurs me njëra-tjetrën, se cilën duhet të zgjedhin mbretneshen e luleve, e më e bukura për At Gjergj Fishtën, si mbretneshë e të gjithave luleve shqiptare, është lulja e fisit të tij, lulja e Mirditës, që rritet në malet e Munellës, lulja Jerinë. Ky interes i At Gjergj Fishtës për traditën, nënkupton interes në histori.
Tradita shihet si burim historik për ndërtimin e së tashmes. Tradita dhe historia, në mënyra të ndryshme i japin tone dhe ngjyrime të larmishme rrëfimit, siç është rasti me poemën “Jerina ase mbretesha e luleve”, ku përmes traditës dhe fakteve të letrarizuara, At Gjergj Fishta lë të dëshmuar, historinë e origjinës së gjakut të tij mirditor.