Mjeku i njohur infeksionist, Pëllumb Pipero, i ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të qëndrojnë brenda në shtëpi. Ai ka thënë se kjo javë do të jetë vendimtare. Në një lidhje me Skype me News 24, Pipero ka thënë se nëse nuk do zbatohen masat e qeverisë, do të shkojmë pas skenarit italian. “Pas cdo rasti të konfirmuar fshihen 10 apo 15 raste të tjera.
Në këtë situatë pandemie dhe shtimit të rasteve të prekura iu kërkojmë qytetarëve të jenë mirëkuptues dhe të ndjekin udhëzimet e qeverisë. Ne mjekët shohim vetëm majën e ajsbergut, ndërkohë që ISHP ndjek rastet e kontaktit, ne mjekojmë rastet që na vijnë. Java që nis është decizive për të parë edhe numrat edhe për të parë efektshmërinë e masva të marra. E përsëris, nga ky virus askush nuk është i paprekshëm, pavarësisht se dikush ka apo nuk ka komplikacione.
Numri i rasteve është dyfishur në një ditë, pra sa më shumë të mos zbatojmë masat aq më shumë shtohen të prekurit. Minimalisht të qëndrojnë në shtëpi është shumë pak për të fituar shumë jetë njerëzish. Nesër do të jetë shumë vonë. Nesër i afrohemi një hap më shumë skenarit italian, por nëse qytetarët nuk na dëgjojnë, nuk kam ç’t’ju them më pastaj: Zoti na ruajt”, u shpreh Pipero.