Nga, Elona CASLLI
Zonja Ministre, duke marrë shkas nga statusi Juaj, përmes të cilit, shpallnit konkursin e pikturës më të mirë, për 7 Marsin, sugjeroj që të pikturohen edhe hamshorët në arsim.
Do të ishte një pikturë krejt interesante, piktura e ligjërimeve seksuale të një profesori.
Nuk ndodh shpesh, që mësuesi t’i rrëfejë nxënëses, historikun e tij seksual.
Sikundër, nuk ndodh shpesh, që dora e një profesori të ngatërrojë zonën e diafragmës me zonën intime në trupin e nxënëses.
Do të ishte një pikturë krejt interesante, shkëmbimi i përvojave seksuale brenda një stafi pedagogjik.
Do të ishte një pikturë krejt interesante, mesazhi i nxehtë dhe i shfrenuar, që një mësues i dërgon nxënëses së tij.
Do të ishte një pikturë krejt interesante, tjetërsimi i institucionit të dijes, në institucionin e shfryrjes seksuale, të njerëzve që përjetojnë adoleshencën e vonuar.
Nuk ndosh shpesh, që brenda një mësuesi të gjesh: zhigolonë e shtëpisë publike, mësuesin e kantos, burrin e gruas dhe dashnorin e minorenes.
Këtë personazh do ta kishin zili edhe piktorët e e mëdhenj.
Do të ishte një pikturë krejt interesante, piktura e një ministreje, që i mban një leksion të gjatë gazetarie, emisionit “ Stop” ,që e pasqyroi këtë rast, ndonëse stafi i këtij emisioni, ka qenë korrekt në procesin e pasqyrimit.
Post Scriptum- Dhe së fundmi, bëni një autoportet zonja Ministre! Ndoshta, Ju ndihmon të kthjelloheni mbi përgjegjësinë dhe detyrimet që keni ndaj taksapaguesve shqiptarë.