Shkrimtari Besnik Mustafaj kurorëzohet autori më i mirë i vitit 2019 për librin “Dëmtuar gjatë rrugës”, çmim i dhënë sot në Panairin e Librit Tirana 2019.
Motivacioni ishte: “Për përshkrimin plot realizëm dhe ironi të hollë të një periudhe dramatike ende të pranishme edhe të gjallë në mendjet njerëzore”.
“E konsideroj këtë çmim si një konfirmim të drejtësisë, për ta lënë politikën edhe për t’iu përkushtuar letërsisë”, thotë shkrimtari Besnik Mustafaj.
Korab Hoxha fitoi si përkthyesi më i mirë për përkthimin e poezive dhe prozave të autores ruse Marina Svetajeva, me titullin ‘Tetori në vagon”.
Ndërsa çmimin për librin e kujtimeve e ka marrë Lekë Tasi për librin me kujtime nga persekutimet e komunizmit, “Grabjani rrëzë kodrave”.
Por një çmim special ka dhënë edhe Ambasada e Francës për përkthimin më të mirë nga frëngjishtja në shqip dhe këtë e ka marrë Saverina Pasho për përkthimin në shqip të librit më të rëndësishëm të Milan Kunderës, “Lehtësia e padurueshme e qenies”.
Çmimet në formën edhe të një ceku u dhanë pas shqyrtimit të 100 titujve nga një juri profesioniste e përbërë prej 5 anëtarësh, prof.dr. Lili Sula, pedagoge në Fakultetin Histori-Filologji, përkthyesi Agim Doksani, poetja Adriatike Lami, studiuesi Agim Baci dhe poeti dhe përkthyesi Parid Teferici.