Shumë njerëz thonë se kur Hëna është e plotë, ata qëndrojnë zgjuar, ose e kanë të vështirë të flenë normalisht. Tashmë një studim i fundit, i publikuar në revistën “Current Biology”, i mbështet pretendimet e tyre. Në një studim të vogël të 33 njerëzve, studiuesit zbuluan se fazat e Hënës, ndikojnë në cilësinë e gjumit tonë.
Për tre ditë e gjysmë, subjektet e studimit, që i përkisnin moshës 20-74 vjeç, u mblodhen në një laborator, ku u vëzhguan nivelet e hormoneve të tyre, si dhe modelet e gjumit. “Ne zbuluam se kur afron faza e Hënës së plotë, aktiviteti i elektroencefalogramik (EEG) gjatë gjumit NREM, një tregues i gjumit të thellë, ra me 30 për qind, teksa koha që i duhej subjekteve për të fjetur gjumë u rrit me 5 minuta.
Ndërkohë kohëzgjatja totale e gjumit e vlerësuar me EEG, ishte zvogëluar me 20 minuta. Këto ndryshime, u shoqëruan me një rënie të cilësisë subjektive të gjumit, si dhe me nivele të zvogëluara të melatoninës endogjene, shkruan autorët e studimit.
Duke ditur që njerëzit mund t’i mbajnë zgjuar edhe dritat ndriçuese në rrugë, ne mund të hamendësojmë se një Hënë e plotë, do të kishte në fakt një efekt të ngjashëm. Por pjesa më interesante e studimit, mund të jetë që shqetësimet e gjumit të lidhura me fazat e Hënës, duket se nuk kanë asnjë lidhje me dritën e Hënës.
Në fakt gjatë studimit, shkëlqimi i dritës së Hënës, nuk ishte një faktor ndikues. Subjektet që iu nënshtruan testimit, e kaluan kohën e eksperimentit në një dhomë pa dritare, dhe as që ishin në dijeni se të dhënat e mbledhura do të kishin ndonjë lidhje me fazat e hënës. (Në këtë mënyrë, mund të minimizohen perceptimet apo besimet personale në lidhje me ndikimin e Hënës në gjumin e tyre).
“Ne kemi prova që distanca me fazën më të afërt të Hënës së plotë, ndikon ndjeshëm në gjumin e njeriut, si dhe në nivelet e melatoninës në mbrëmje, kur ato maten në kushte laboratorike të kontrolluara rreptësisht, ku faktorë të tillë si drita dhe perceptimi personal i Hënës mund të përjashtohen si faktorë”- shkruajnë më tej autorët e studimit.
Si reagon trupi i njeriut ndaj diçkaje që nuk është as e dukshme? Një teori, është se kjo është një veti e së kaluarës sonë evolucionare. Ne e dimë që ciklet cirkadiane dhe riprodhuese të disa specieve, janë të lidhura me Hënën. Prandaj, edhe truri i njeriut mund të ketë një version të këtij tipari.
“Ne nuk e dimë nëse njerëzit e kanë ende atë, apo arsyen pse”- tha për CNN Kristian Kajohen nga Spitali Psikiatrik i Universitetit të Bazelit në Zvicër, autori kryesor i studimit. Ky efekt mund të ndryshojë nga burrat tek gratë, thekson një studim i ngjashëm i kryer pak kohë më parë në Angli.
Në atë studim, 205 njerëz u vëzhguan ndërsa flinin (gjithashtu në dhoma pa dritare) gjatë ciklit hënor. “Analizat e vëçanta për burrat dhe gratë, treguan se tek gratë koha totale e gjumit, Faza 4 e gjumit dhe gjumi REM, u zvogëluan kur gjumi përkonte me fazën e Hënës së plotë, ndërsa tek burrat kohëzgjatja e REM, u rrit rreth fazës së Hënës së plotë”- shkruan më tej autorët e këtij studimi.
Asnjë studim nuk është kryer mbi efektin që mund të ketë mosha apo rrethana të tjera mbi cilësinë e gjumit, në raport me fazat e Hënës. Prandaj ka ende shumë për të mësuar. Për ta kuptuar këtë fenomen, shkencëtarët do të duhet të mbledhin më shumë të dhëna nga më shumë njerëz dhe për një periudhë më të gjatë kohore.