Gjeopolitika është një lojë që duhet luajtur me seriozitetin më të madh. Përndryshe, në botën që ndryshon çdo minutë, papritur mund të gjendesh pa aleatë.
Shqipëria gjendet në Ballkan, dhe shteti shqiptar është embrioni prej nga buron fuqia e krejt shqiptarëve në rajon. Për shkaqe historike, shqiptarët sot jetojnë në trojet e tyre të shpërndarë në pesë shtete, pa përfshirë këtu diasporën shqiptare që ka emigruar në të gjithë Ballkanin, Europë dhe Amerikë, deri në Australinë e largët. Po për shkaqe historike të gjeopolitikës globale, shqiptarët kanë rëndësi të dorës së parë jo vetëm për rajonin, por edhe për stabilitetin e krejt kontinentit të vjetër. Në të vertetë, historia e shqiptarëve në Ballkan është e vjetër sa qytetrimi botërorë, ku ata mbijetuan mrekullisht mes Romës, Bizantit, Sllavizmit dhe Otomanizmit. Shqiptarët ishin paganë, të krishterë, ortodoksë, muslimanë dhe ateistë; por ata asnjëherë nuk i bënë fanatikë të këtyre besimeve. Duket se adn-ja e shqiptarëve funksiononte ndryshe nga pjesa tjetër e njerëzimit, por kjo është një temë tjetër, që meriton një shkrim tjetër.
Çështja shqiptare nuk mund të shihet e shkëputur nga zhvillimet rajonale dhe botërore, nisur vetëm nga parametra të së drejtës ndërkombëtare, ose nga doktrina nacionaliste, fetare apo ideologjike. Çështja shqiptare është komplekse, sepse të tilla janë edhe zhvillimet ndërkombëtare, ku ndërthuren të gjithë faktorët e mësipërm, plus fuqia ekonomike, ushtarake dhe politike e secilit vend që ka interesa për të mbrojtur. Bota vazhdon të dominohet nga fuqia, pavarësisht rregullave ndërkombëtare që janë pranuar, për më tepër, kur rregullat ndryshohen vazhdimisht nga fituesit. Kjo lojë gjeopolitike e tillë ka qenë, është dhe do të jetë, sepse me sa duket, kjo është natyra e qenieve njerëzore që jetojnë në planetin Tokë.
Bota nuk mund të shihet vetëm si e bardhë apo si e zezë. Ajo ka shumë shtresëzime komplekse, të ndërthurura me kulturën dhe fenë, ekonominë dhe politikën, shkencën dhe zhvillimin teknologjik. Diferenca qëndron vetëm në vlerësimet relative, që shumicën e herëve dëmtohen nga mendjet të ngushta ku dominojnë dogmat.
Shqipëria dhe shqiptarët rrethohen nga vende jo miqësore. Ky është një fakt i cili kurrësesi nuk mund të injorohet. Të gjendur mes sllavizimit dhe helenizmit, mbijetesa e shqiptarëve në territoret e tyre është një ndër sfidat më unike në historinë e njerëzimit.
Nuk mendoj se ka një popull të dytë në botë, që ia ka dalë të ruaj gjuhën, doket dhe zakonet, mënyrën e tyre të jetesës, vazhdimësinë historike, territoriale dhe gjenetike për mijëra vjet si shqiptarët. Në të vertetë, kjo është edhe vlera jonë themelore, domethënë mbijetesa mes sfidash të pashoqe.
Ne jemi në këtë gjendje, domethënë, të ndarë në pesë shtete dhe të rrethuar nga vende jo-miqësore dhe miqësore. Nëse përpiqemi të bëjmë një hartë të vendeve miqësore dhe jo-miqësore në rajonin tonë, do të kuptonim më mirë se cila është gjendja reale ku ndodhemi, raportet e fuqive tona, aleancat e përkohëshme dhe aleancat afatgjata. Luftërat e fundit në rajonin e Ballkanit ravijëzuan aleanca të reja, por që për fat të keq nuk mund të zgjasin përgjithmonë. Fqinji ynë i vogël Mali i Zi përpak sa nuk ra nën ndikimin rus, ndërsa Maqedonia akoma nuk i ka konsoliduar pozitat e veta. Kosova mbetet nën kërcënimin permanent të Serbisë, pa arritur të anëtarësohet në OKB dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë. Greqia vazhdon të mbajë në fuqi një ligj arkaik lufte, duke bërë presion pervers dhe sistemik me qëllime të mirëfillëta shoveniste për territore në tokë dhe ujëra territoriale.
Vendet që dolën nga ish Jugosllavia mund të konsiderohen vende mike me përjashtim të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, megjithatë, historia na meson se nuk ka aleanca të përjetëshme, por ka interesa të përjetëshme. Perandori të vjetra që jetuan 1000 vjet kanë ra, dhe nga hiri i tyre kanë lindur të tjera. Në këtë kuptim, Europa mbetet destinacioni, por në thelb “perandoria e bashkimit europian” akoma nuk ka arritur të konsolidohet politikisht, pavarësisht se çdo shtet i Bashkimit Europian në vetvete përbën një fuqi politike, ushtarake dhe ekonomike të rëndësishme, por jo aq të madhe sa t’i bëjë ballë e vetme invazionit rus. Lojtarë të rinjë të dorës së parë me fuqi globale kanë dalë në ankandin e interesave, ku papritur mund të ndryshojnë balancat gjeopolitike të rajonit. Kush mund ta mendonte se Anglia, një ndër vendet me ndikimin më të madh në historinë njerëzore, është në ikje e sipër nga Bashkimi Europian, mes të tjerash, edhe pse pa, se ky projekt nuk e kishte atë tharmin e nevojshëm, për të qenë afatëgjatë dhe në gjendje t’u bëjë ballë sfidave të mijëvjeçarit të ri.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbase me të drejtë kanë zhvendosur vëmendjen në pjesë të tjera të botës, ku faktor të tjerë me fuqi globale si Kina dhe India janë në ekspansion. Kush mund ta mendonte se SHBA-të do të terhiqeshin ndonjëherë nga Gjermania, siç po përflitet se do të ndodhë 35.000 trupat e Marinës Amerikane? Mbi të gjitha, kush nga ju e ka menduar ndonjëherë, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen ndonjëherë nga NATO, aleanca më e madhe ushtarake dhe politike që ka njohur njerëzimi? E pra, pikërisht kjo mundësi, në formën e një kërcënimi është shqiptuar disa herë nga Presidenti Donald Trump.
Ne gjendemi në një rajon ku interesat globale të Sllavizmit përplasen rregullisht në Ballkan dhe Mesdhe. Kjo luftë i ka mbushë 1000 vjet, dhe me sa duket, do të vazhdojë edhe mijëvjeçarin e ri. Karakteristikë e Sllavizmit është bashkimi i ideologjisë fetare me politikën. Diçka të ngjashme e provoi edhe me komunizmin, një dogmë vrastare kjo që kushtoi miliona jetë njerëzimit. Duke shfrytëzuar rrethana të caktuara interesash globale, ne mbijetuam përgjatë 500 viteve të fundit.
Vijon…