Nga, Lirim Gashi:
Nga vjen kjo nevojë ekstreme për t’a lartësuar vetveten ekskluzivisht përmes krekosjes me vlera materiale?
Nga vjen ky mentalitet ekstrem konsumator dhe kjo nevojë ekstreme për t’i lartësuar vlerat materiale deri në perversitet?
Pse s’ bëjnë selfi nga ndonjë manifestim letrar, shkencor, kulturor, edukativ, apo shfaqje teatrale ?
Pse s’ përçojnë përmes imazheve ndonjë mesazh modest njerëzor, human, solidar, edukativ, kulturor, por vetëm mesazhe egoiste, materialiste dhe konsumatore që t’a japin ndjenjën se një popull i tërë jeton vetëm për të ngrënë e për të pirë dhe i dehur nga lumturia materiale për t’u gdhirë?
Një popull që përjeton ekstazë kolektive që rezulton nga uria e çmendur për të konsumuar, mërtypur, jargosur, gëlltitur dhe rrënuar gjithçka para vetes, nuk ka pse të çuditet që përfaqësuesit e tij në pushtet e pasqyrojnë të njëjtin mentalitet konsumator, zhvatës dhe eksploator, që rezulton me akumulim marramendës te pasurisë së vjedhur, plaçkitur dhe uzurpuar nga populli.
Kjo zhvatje, vjedhje, plaçkitje dhe grabitje me forcë, është në fakt krim ndaj popullit, sepse i shkakton vuajtje, varfëri dhe mjerim deri në atë masë, sa që e detyron pjesën e tij më të pafajshme dhe vitale rininë, për t’a braktisur familjen, shoqërinë, vendlindjen dhe atdheun dhe për t’u shndërruar në armatë skllevërish nomad të Evropës?
A ka mëkat më të madh, se sa ky?
Nga po shkon kjo botë?
Oreksi i një individi të vetëm për të poseduar njëqind fish më tepër se sa që ka nevojë, i varfëron dhe mjeron fiks njëqind familje dhe e dëmton ambientin, sepse uria ekstreme për të konsumuar gjëra luksoze dhë të dëmshme për shëndetin, ndërlidhet me eksploatimin mbi proporcional të resurseve natyrore mbitokësore, nëntokësore dhe ujore.
Çdo dru dhe lis i prerë, çdo gjallesë e peshkuar dhe kafshë e therur më tepër se sa që e duron natyra, është shkatërrim i ambientit jetësor dhe zhvendosje e balancit ekologjik nga binaret natyror në binarët shkatërrimtar, gjë që na hakmerret me pasoja tragjike shëndetësore që rezultojnë nga ndryshimet negative të klimes.
Çdo gjallesë e zhdukur nga detet dhe oqeanet që e rregullon temperaturen e ujërave, përmes balancimit të rrymes së golfit që njihet si frigorifer natyral i deteve dhe oqeaneve, rezulton me ngritje të temperaturës dhe nivelit të ujit përmes shkrirjes së akullnajave në pole.
Niveli i lartë i ujit shkakton avullim të një sasie më të madhe të ujit se zakonisht, që pastaj kthehet në tokë në formë të shiut, breshërit, orkaneve dhe stuhisë.
Reshjet mbi proporcionale shkaktojnë vërshime gjigante, e vërshimet përplasje tektonike të kontinenteve ishuj, ndërsa këto të fundit rezultojnë me termete dhe cunami.
Ngritja e temperaturës së ujit shkakton edhe ngritje të temperaturave globale të ajrit, që rezultojnë me zgjerim gropash të ozonit, shkretëtirash në Afrikë dhe me migrim miliona njerëzish të uritur, mitur dhe rritur.
Shqiptarë të dashur.
Të gjitha të këqijat e kësaj bote vijnë nga konsumimi i tepërt, prandaj mos shpenzoni lekë për gjërat për të cilat jo vetëm që s’keni nevojë, por që e rrezikojnë seriozisht shëndetin dhe ambientin jetësor, sepse prodhimi i tyre e ndot ambientin me monoksid dhe dioksid karbon.
Helmi që ngritet si tym në atmosferë, kthehet në tokë përmes reshjeve të ndotura dhe e helmon tokën dhe ujin e pijshëm, prandaj mos u çuditni pse është rritur kaq shumë numri i pacienteve me sëmundje kancerogjene që i ka kapluar për herë të parë në historinë e njerëzimit të gjitha moshat.
Njeriu është definitivisht kreatura më e pangopur e universit dhe jo vetëm armiku më i madh i vetvetes dhe gjallesave bimore dhe shtazore që e rrethojnë, por edhe i natyres në përgjithësi.