Të gjithë po luajnë me ty! Po luajnë lojëra të rrezikshme në kokën tënde.
Si ata që të thonë mos u tërhiq si ata që të thonë tërhiqu, të gjithë po luajnë dhe po qeshin me ty!
Po luajnë dhe vetëm po qeshin me lot ! Po luajnë ashtu siç luanin dikur me ty fëmijët e lagjes! Të cilët gajaseshin me lot me ty dhe kokëmushkësinë tënde.
Po luajnë si atëherë kur një pjesë të thonin ti nuk ngjitesh dot tek kali i Skënderbeut, ndërsa pjesa tjetër të nxisnin të ngjiteshe dhe ti nga inati i tyre ngjiteshe, por sërish ata vetëm qeshnin me ty!
Sepse, si të ngjiteshe si të mos ngjiteshe nuk kishte asnjë rëndësi! I rëndësishëm ishte fakti që ti ishe burim humori dhe talljeje që në vegjëli.
Kurrë nuk arrite ta kapërcesh pragun e fëmijërisë. Atij fëmijës që ishte objekt bullizmi që në lindje!
Kjo e tërbonte babain tënd Kristaqin me të cilin nuk bëre kurrë paqe, pikërisht se ai e pati kuptuar dhe ta pati thënë në sy që je një njeri dhe artist i dështuar.
Po luajnë ata të cilët i pate gjithmonë idhuj, të cilët kurrë nuk i arrite!
E di që kjo të tërbon! Por, prapë të them mos i dëgjo!
Të paktën një herë në jetën tënde ndalo!
Mos i lejo të të kalërojnë, siç të kalëronin në vegjëli!
Ndalo dhe mendo vetëm 30 sekonda!
Nëse do të meditosh i qetë e kupton që ke dështuar në mënyrë spektakolare. E kupton që je në një rrugë pa krye si atëherë në fëmijëri!
E kupton që si tërheqja ashtu edhe vazhdimi përpara me kokëmushkësi do të ishin një akt fare i pavlerë.
Sepse në të dy rastet je i humbur.
Ke humbur me turp! Pranoje! Mbase nuk ke faj ! Mbase je nisur për mirë! Por nuk të ka faj as gjermani!
Ke humbur keq dhe dije se askush nuk të ka zili për situatën ku ndodhesh. Përkundrazi shumica janë të keqardhur!
Mos dëgjo Elisën, Erjonin, Endrin që të nxisin të vazhdosh përpara, sepse ata duan që të kesh një përplasje fatale, jo me popullin por me historinë. Përplasja me historinë është sigurisht fundi yt, por jo i historisë.
Mos dëgjo as ata që të thonë tërhiqu! Sepse, në fakt edhe ata ashtu si dikur mistrecët e lagjes kur të thonin ‘nuk e bën dot, në fakt po të nxisin sepse ta njohin mirë kokën!
Edhe ata në fakt duan që ti të vazhdosh drejt përplasjes fatale, e cila do të fundosë në llumin e historisë shqiptare, nga ku nuk do të mund të dalësh më.
Unë e di që ti si frikacak që je ia ke lënë një mundësi vetes !Dhe mundësia jote e fundit është nesër tek vendimi i kolegjit zgjedhor për rastin e tërheqjes së Idajet Bqirit!
Sa e sa herë je tërhequr ti! Sepse ti nuk ke turp ta bësh këtë. Ti mbajte të bllokuar Shqipërinë për një vendim ordiner për qarkun e Fierit .
Ti e ke natyrë të ikësh, dhe ky në fakt për një lepur si ty nuk është një rast i keq!
Tagrin për të gjykuar një dekret presidencial e ka vetëm gjykata kushtetuese, por edhe pse vendimi do të jetë antikushtetues, në mungesë të gjykatës kushtetuese, bëj që kolegji ta pranojë kërkesën, kështu ke alibinë për të shpëtuar nga ky turp!
Unë e di që ti këtë do të bësh, kurrë nuk ke pasur këllqe dhe guxim të përballesh! Gjithmonë je zbythur! Do ta bësh sepse nuk të ka mbetur asnjë rrugë tjetër.
Pra, nesër mos dëgjo as Erin, as Monën! Dëgjo veten!
Boll me inatin e një fëmije të llastuar!
Bëhu burrë.