Shenja të mira. Duket se përkushtimi juaj deri në dhimbje për të ndërgjegjësuar njerëzit e oborrit mbi përdorimin e saktë të gjuhës, ka lënë gjurmë tek Kryebashkiaku.
Në bashkësinë e fjalive që tha sot në Njësinë Tetë, një fjali lidhej me gjuhën shqipe. Kish vënë re përdorimin e gabuar të apostrofit në përemrin vetor ” Ti” dhe madje i kish vrarë sytë aq keq, sa ish revoltuar.
Sikundër thonë Lartmadhëri, jo çdo vlerë bën që të lindë revolta, por çdo revoltë i referohet heshturazi një vlere. Duhet nënvizuar fakti Lartmadhëri, se Kryebashkiaku ka ende probleme me Kodin e Etikës në Komunikim.
Në komunikimin e tij gjatë fushatës vihet re përdorimi i Regjistrit të thjeshtë e të shkujdesur , i cili karakterizohet kryesisht nga përdorimi i fjalëve ose i shprehjeve që shërbejnë për të mbushur zbrazëtinë dhe i fjalëve me ngjyrim të theksuar emocional.
Shembull- Ore, s’jua kam ngenë; Qafsha të gjithë! Ndërkohë , Kryebashkiaku, duhet të përdorë regjistrin e zakonshëm gjuhësor, i cili përdoret në gazeta dhe televizione dhe shkarkohet vazhdimisht nga elementet dialektore dhe synon gjuhën standarde.
Përtej çështjes së regjistrit gjuhësor Lartmadhëri, ajo që është shqetësuese është mosrespektimi i Kodit të Etikës gjatë rrëfimeve të Kryebashkiakut.
Për të përshkruar marrëdhënien tuaj me Z. Basha, Kryebashkiaku do të shprehej- Çfarë të bëjë më Edi Rama?! Shtatë letra i shkroi Bashës dhe nuk pati përgjigje. Edhe dashurisë më të madhe në jetën e tij, Ed Rama nuk ia ka lypur shtatë herë. Nuk është i denjë për veshët e votuesve një rrëfim i tillë, Lartmadhëri.
Megjithatë, nuk mund të rrija pa e ndarë me ju këtë çast të gëzuar, në të cilin, Kryebashkiaku shfaq ndjeshmëri të lartë për përdorimin e duhur të apostrofit. Është një hap i vogël, por duhet vlerësuar. Post Scriptum- Duke shpresuar se Kryebashkiaku do të ndërgjegjësohet edhe mbi çështje të tjera gjuhësore.
Sinqerisht
Elona Caslli