Kandidati për kreun e bashkisë Lezhë, Eduart Ndocaj, kandidimin e tij për zgjedhjet e 30 qershorit, po përpiqet ta interpretojë, jo thjeshtë si një garë mes individësh, që synojnë të njëjtën karrige, por dhe si një qasje modelesh njerëzore.
I njohur për afeksionin e tij për prindërit, ndaj të cilëve shpreh mirënjohje të pashtershmë dhe krenari të pakufishme, si dhe për vlerësimin që ai i bën institucionit të familjes, duke e konsideruar të shenjtë, Eduarti, po shfaqet në këtë betejë, jo të lehtë elektorale, si një qytetar, ku vlerat dhe virtytet morale janë dhe duhet të jenë guri i themelit të shoqërisë sonë.
Në këtë kandidim, Ndocaj, po vjen me një profil mjaft të lartë qytetar, jo si një politikan që u sprovua në nivelet më të larta, duke dëshmuar ndershmëri dhe përkushtim në afirmimin e edukimit të tij perëndimor, por si një vizionar që e do Lezhën me shpirt, si një administrator që jep shpresë se rimëkëmbja ekonomike e kësaj bashkie me resurse të panumërta do të ndodhë duke bashkuar energjitë pozitive në funksion të perspektivës zhvillimore.
I thjeshtë, sic është thjeshtësia e njerëzve që flasin dhe komunikojnë sinqerisht me njerëzit, i zellshëm në sipërmarrjet e tij, luftarak në bindjet e veta, i pakompromistë me dallaveraxhinjtë dhe matrapazët e shumtë të politikës, të cilët e trajtojnë karrigen si trofe lufte, duke plackitur nga pasuritë dhe pronat publike, i përpiktë në angazhime, i ashpër ndaj cdo kujt që i bie ndesh interesave të komunitetit të tij, ky është Eduart Ndocaj, i cili ndryshe nga rivalët e tij që krekosen me postulate të gatshme dhe me një retorikë boshe, pa përmbajtje për votuesin e thjeshtë, ka si busull orientimi derën dhe oxhakun nga i cila rrjedh, por mbi të gjitha, fanari ndricues janë porositë e të ëmës që i shërbejnë për të ndërtuar raport të drejtë mes të tashmes dhe të ardhmes së tij.
Nuk mund të ishte ndryshe Eduart Ndocaj përvecse ky që ne njohim. I ndershëm dhe punëtor. Gjithcka e ka ndërtuar me mund dhe djersë në vendin fqinj të Italisë, duke sfiduar dhe paragjykimet e shumta që fqinjët tanë të përtejdetit kishin ndaj shqiptarëve. Nuk mund të ishte ndryshe, përvecse ky që njohin bashkëqytetarët e tij, si human, mjaft të dashur, të ciltër dhe i qeshur, sepse u edukua si i tillë në votrën prindëore, nga e cila mori lëndën e vlerave morale.
Nuk mund të ishte ndryshe “kaubojsi” ynë, pasi lidhja e ngushtë me prindërit, të cilët e mësuan të ishte i dobishëm kudo që ndodhet, dhe si i tillë, ai, vjen në garën e kandidmit për kryetar të bashkisë së vendlindjes dhe të vendrritjes së tij.
Për ta kuptuar modelin sesi do të jetë nesër kryebashkiak Eduart Ndocaj, duhet të njohim filozofinë e jetës së tij, e cila gjithnjë është udhëhequr nga këshillat e të ëmës, që ai, i ka të listuara si parime biblike, nga ku merr trajtë karakteri i tij dhe nga ku burojnë virtytet humane që i trashëgon ndër breza.
Lezha meriton të ketë administrator djalin e tyre, të virtytshmin Eduart Ndocaj, njeriun që u është gjendur pranë në halle e gëzime.