Jam lé e rrit’ n’Shkodër.Baba e mama jeme janë lé e rrit’ n’Shkodër.Gjyshat e mi e nanababja jeme janë lé n’Dukagjin,kanë rinu e janë plakë n’Shkodër.Nanadaja jeme,shkodrane e vjetër.
Na jetojmë pranë kryqzimit të ish-Degës së Mrendshme.Afër kam lagjet e vjetra të Sarreqit,Gjuhadolit,Arrës së Madhe dhe Stacionin e trenit.
Fminija jeme n’Shkodër asht e tejmbushun me personazhe të ndritun t’qytetit që m‘kanë kalitë karakterin e kujtimet.
Te pallati jem,në kat t’tretë jeton Paulin Preka,krenaria e humorit shkodran.Në po të njejtin kat ka jetu për shumë vjet Rudolf Rasha,ish-nën kryetar bashkiet. Tek pallati përballë ka jetu Edmond Rasha,trajner i ekipit të Vllaznisë së volejbollit për femna.Pak metra ma poshtë majtas ka jetu doktori i famshëm neuro-psikiatër,i ndjeri Sandër Ashta e përballë tij;shpija e Pashko Vasës.Tek pallati djathtas nesh ka jetu doktori i zemrës,i ndjeri Skender Zaimaj. Njiqind metra ma poshtë jeton Zef Çoba,kompozitor e dirigjent i madh,tullë e randë e kangës shkodrane. Mbas shpisë së Zef Çobës ka jetu i ndjeri Willy Kamsi;albanolog,publicist e diplomat shqiptar.Mbas shpisë së Willy Kamsit ka jetu Jozefina Topalli;kryetarja e parë femën e Kuvendit të Shqipnisë.Mbas shpisë së Jozefinës ka jetu piktori rebel Nikolin Luci.Përballë ktij bllokut të ndërtesave ka jetu Paulin Ndoja,gardian i portës së Vllaznisë.Nga ana tjetër përballë dhomës teme,ka jetu Pjetër Arbnori,deputet e shkrimtar shkodran;Mandela i Ballkanit.
Për mos me e zgjat shumë,tuj e dit që kam harru shumë tjerë,ajo çka du me than asht që në nji rreze prej vetëm nji kilometër Shkodrës i rrjedhte ndër vena vetëm art,kulturë,sport e politikë.Imagjinoni çka u bate n’tan Shkodren!Shkodra ndritte prej sharmit të ktyne burrave e grave të meçme,prej kontributeve të tyne të paçmushme.N’Shkodër ndodhte çdo ditë magjia..!
Kujtoj gratë fisnike të lagjes teme,finesa e t’cilave më magjepste e me mbushte imagjinaten me skenare me rruza me perla e fustane me pala elektrike.Infermiere,doktoresha,msuse,rrobaqepse dhe shpijake të nderume,puna e t’cilavë i jepte puls jetës n’lagje.N’ktë ambjent,nuk kishim ka me ja majtë mos me u marrë edhe une e motra jeme me art e kulturë.
M’kanë msu me kndu Kujtim Alija,Lec Balca,Bardhyl Hysa,Roland Guli,Lekë dhe Gjon Shllaku.M’ka msu me kcy Vladimir Saiti.M’ka msu anglisht Marie Sheldija e m’ka ba matematikë Besim Zagani.
Shkodres i rrahte zemra prej shoferave të thjeshë,si baba jem,prej elektriçistave të palodhun,prej bojnaxhive me shumë humor,prej adhurusve të gardalinave,prej biçiklistave me ballë të nximë,prej kopshtarëve që rritshin drandofillet ma të bukra n’botë e prej rojeve fjalëpak të shkollave.Kta ishin themelet e shpisë shkodrane,kta kishin lexu ma shumë libra e dijshin ma shumë poezi se ma i miri politikan sot.
Por kto që përmenda janë personazhe të kapitujve me shkronja arit të ish-Shkodres,mbas të cilave historia kapet fort me thonj.Shkodra ka edhe Zojen e Shkodres,tek e cila kam uzdajë që lutet prap për ne…sot ma shumë se kurrë!
O Zojë,t’lutem çoje zanin pak ma shumë!
O Zot,t’lutem ndale doren tande t’butë mbi Shkodër!
Ma ndal turrin edhe mu,mos me ik natën për hanë prej ktu e me ja fikë krejt zemren ktij qytet…