Nga, Elona Caslli: Shkopinjtë mbi opozitën dhe qytetarët, kumtojnë mesazhin tragjik të një diktature moderne

Ky shkrim është për çdo “ Skllav vullnetar’’ të Rilindjes që është i përkushtuar deri në dhimbje, për t’i kryer shërbimet e duhura partisë.

Së pari, nëse mendoni se keni zbuluar “ Amerikën” duke i përcjellë një foto të një vizite normale në spital, organizatës bazë, gaboheni rëndë. Nuk quhet zbulim, një ngjarje që dikush e publikon me vullnet të plotë madje duke cituar edhe autoren e fotos. Në ligjëratë të drejtë :

Nuk quhet zbulim vizita ime tek Z. Dollapi dhe foto e bërë nga Znj. Albana Vokshi për sa kohë jam unë që e bëj publike vizitën.

Zbulim do të ish quajtur nëse do të kisha shkuar fshehurazi atje!

Përpjekjet e dëshpëruara në gjuhën angleze, për ta paraqitur Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, si gjymtyrë të Opozitës nuk bëjnë gjë tjetër veçse vërtetojnë faktin, se ju nuk shkoni dot përtej gjendjes se skllavit, i cili duhet medoemos të urdhërohet nga dikush për të kryer një veprim.

E është pikërisht kjo gjendje prej skllavi që ju bën të mbeteni peng i një emri dhe ju pengon të kuptoni se Z. Dollapi dhe shkopinjtë mbi të, kumtojnë një mesazh tragjik; mesazhin e një diktature moderne e cila përpiqet të na serviret si një demokraci e shëndetshme.

Post Scriptum- Veç keqardhjes, nuk ndiej asgjë tjetër për Ju! Nuk ka dhimbje më të madhe se iluzioni i një skllavi që mendon se është i lire!

Sinqerisht

Elona Caslli