Ky është momenti i aksidentit tragjik me tri viktima mbrëmjen e të martës në aksin rrugor Kavajë –Rrogozhinë.
Aty shfaqen tre këmbësore, nëna dhe dy vajza që kalojnë rrugën dhe një makinë që i merr përpara e më pas përplaset me bordurën e një karburanti.
Për pasojë Lumturie Demrozi, rreth 46 vjeçe dhe Gentian Belba 23 vjeç pasagjer në makinë ndërruan jetë në vend.
Vilson Cara që ishte drejtuesi i mjetit mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në spital mëngjesin e së mërkurës, ditës që do të mbushte 24 vjeç.
Vajza 21-vjeçare e viktimës Lumturie Demrozi mori plagë të rënda dhe u dërgua në spitalin e Durrësit, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në makinë bashkë me të rinjtë që mbetën viktima mësohet se ndodhej edhe një person i tretë, i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime të mëdha.
Ata kishin marrë më qira këtë makinë dhe do të udhëtonin drejt kryqytetit për të festuar në lokalet e natës ditëlindjen e shokut.
Por nga festa prodhuan mort, pasi u përfshinë në aksident sapo dolën nga Kavaja.
Shpejtësia mbi normat dhe lagështia në rrugë janë renditur mes shkaqeve të aksidentit tragjik.
Ndërkohë një person humbi jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur nga përplasja e dy mjeteve në Mallakastër, ditën e sotme.
Viktima udhëtonte në një veturë që u përplas me një furgon mallrash që sipas burimeve transportonte bombula gazi.
Ky fakt ka vënë në alarm, edhe zjarrfikësit që i janë trembur mundësisë së një shpërthimi të mundshëm.
Të dëmtuarit janë dërguar në spitalin e Fierit ku morën ndihmën mjekësore./oranews