Basha pas mbledhjes së Kryesisë: Jemi në grusht shteti, përballje popullore në gjitha format

Kryetari i PD Lulzim Basha në një deklaratë për mediat tha se vendi është në një situatë kaotike. Basha u shpreh se jemi në kushtet e një grushti shteti, ndërsa tha se në Mbledhjen e Kryesisë së PD u vendos që të ketë përballje popullore kundër tiranisë së krimit në pushtet.

Basha hodhi akuza të rënda ndaj qeverisë, duke thënë se në lista janë vendosur vrasës dhe përdhunues ose që kanë lidhje me elementë kriminalë.

“Gjatë ditës së sotme, PD ka shqyrtuar gjendjen e rëndë të grushtit të shtetit ku ndodhet vendi pas asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pas kapjes së Prokurorit të Përgjithshëm, sot Shqipëria ka kuptuar se fshihet makthi i Edi Ramës, i cili ka frikë nga zbardhja e dosjeve ku janë përfshirë kryeministri dhe banditët e Rilindjes për të vjedhur zgjedhjet në Dibër dhe në mbarë Shqipërinë.

Sot gazeta Bild ka treguar se kemi një qeveri që udhëhiqet nga kriminelë dhe gangsterë, ka zbuluar sesi në përgjimet e Dibrës figuron vetë Edi Rama duke folur për të vjedhur vota. Zonja Gjylameti është vetë pjesë e votës 184, ndërsa zonja Spiropali duket se është pjesë e dosjes së Xibrakës. E vërteta që mbetet është që nuk ka njeri që nuk e ka marrë vesh se Rama ka vjedhur votat, se parlamenti është produkt i votës së vjedhur. Jemi në kushtet e grushtit të shtetit. Rama ka caktuar kursin e përplasjes me popullin.