ROJTAR I VETES
Si dredhat e erës i rrëmbyer,
Në qiellin kaltërosh mbi oqean,
Shtëllunga resh mendjen ngacmonin,
Shtegtarit një çerdhe te re t´ia dhuronin.
Në stacionin e parë përtej ,
Në mëngjesin e hershëm, erërat ndaluan,
Qytetit s`flinte, mendja vraponte,
Nxitonte shkallëve të jetës ditë e natë.
Ëndrrat shtegtarëve ua ndërtonin,
Bulevardeve zdrukthtari u jepte jetë,
Kur udhëtonin, kokë dhe dorë,
Atyre u bëheshin mal me borë.
Në gurin e mullirit, në kontinentin e ri,
Kapitali derdhej si drithi në hambar,
Mbusheshin dhe stërmbushnin arkat,
Por njeriu nga vetja ishte ndarë.
Nëpër sheshe i drojtur, nga vetja të mos dal,
Ku shkriheshin emra dhe rrënjët,
Gëzimin dhe hidhërimin, shokët e mi të pandarë,
Rrokullisem mes dy poleve, për një ekuilibër të mbarë.
Frikën ma shtiu në palcë, ajo “vrima e zezë”
Në gji i hynin njerëzit…,
Në radhën e pritjes,për veten u bëra rojtar,
Brezave t´ua trashëgoj emrin e shenjtë shqiptar.
Në llavën shumëngjyrëshe,
Në unin e tyre nuk rezistonin,
Përpos të “zgjedhurve të Zotit”,
Nuk i përvëlonte vala, as ndryshku i motit.
Pas “shuarjes”, njerëzit e rinj fillonin,
Pa komb, pa histori, pa identitet.
Teknologji, formatizim, fuqi prodhimi,
Harruan se si duhet të jetojë njerëzimi.
Në prehrin e mendjes sime,
I përkëdhelja ëndrrat pa gjumë,
Të tundosura si varka mes valësh,
Si do t´ia dal, mos të shuhen në fund.
Mos më mallkojë geni im i pastër si loti,
Me pamjen e ruajtur prej Gegnisë së vjetër,
Udhën ua bekova për në shtratin e Dardanisë,
Të marshojnë ku zemra më kishte mbetur.
Të fluturojnë atje lule më lule porsi bletë,
Ndër ato fusha të pushojnë mbi ndonjë Gur,
De Radën, Naimin, Çajupin, Fishtën, Mjedën…,
Me një libër në dorë t´i kujtojnë, siç i kujtoja unë dikur.
GURI I DARDANISË
Në rrënjët e ikura,
Kthesë bëri në çdo shteg,
Udhë lidhi më rrënjët,
Kurrë mos të vdesë.
Pushtuesin nën këmbë e mbante
Kokën ia ndrydhte ngadalë,
Mendjen në grackë ia zuri
Gjersa shpirti t`i dalë.
Gur Rugove, drit e shekullit të ri
Në farë të vetën liri rrezatoi
Derës së humbur me shekuj
Themelet të reja i ndërtoi
Guri lirinë e gdhendi në vepër,
Orë e madhe e shekullit të ri,
Ishte Gur,e ndryshe “Pjetër”
Si ai nuk na mbeti tjetër.
“MBRETIT”
Në hapësirën e mendimeve
Zgjodha sa fjalë për ty
Por si ujë bjeshke të kulluar
Për Tokën,një pikë freski.
Të shtegu i mençurisë,
Ty të prita vite me radhë,
Pritën vetes i zure
Aty ende s’të kam parë.
Fjalë e mirë si gurra e kroit
Për ty pret të dalë
Te shtegu nuk të pashë
E fjala në gozhdë më mbeti e varë…